Shpella e Fatonit
Për rreth gati një muaj iu deshën ekipit të filmit “Shpella” të punojë vazhdimisht për t’i dalë në fund dramës, e cila për qëllim të vetëm kishte demitizimin e miteve, të cilat bëhen për persona të caktuar, në rrethana të caktuara.
Personazhi i vetëm i “Shpellës” së regjisorit Faton Bajraktari i është besuar aktorit Virus Shala, i cili është personifikuar në një tip lideri, që derisa populli i tij vuan, ai zgjodhi një rrugë tjetër.
Regjisori, përveç mundit, që i takonte si regjisor, është dashur të merrej edhe me krijimin e kushteve për të realizuar filmin.
Bajraktari ka kërkuar shpella nëpër gjithë Kosovën dhe është ndalur te Shpella e Gadimes, mirëpo kjo shpellë nuk i është përshtatur temës, kështu që ka vendosur të kërkojë një shpellë tjetër, derisa është ndalur në një ambient me lartësi mbidetare prej 1500 metra. Por, atij i kanë dalë probleme tjera, pasi që nuk kishte rrugë për të arritur deri tek shpella.
“Më është dashur të ndërtoj rrugë rreth 5 kilometra deri tek shpella, kam investuar dhe në rrymë, e rruga vetëm deri te sheshi i xhirimit nuk ishte e lehtë”, tregoi Bajraktari.
Ideja për këtë temë, e cila i nxori punë Bajraktarit, ishte e tij ndonëse, së bashku me Zymber Kelmendin, e ka realizuar skenarin e filmit.
“Me këtë dramaturg kam bashkëpunuar pothuajse në të gjithë filmat e mi të realizuar deri tani. E jetësuam këtë ide, ngaqë gjithmonë më ka provokuar që në shumë shoqëri të botës pas luftës krijohen mite, bëhen trillime të tilla, e me këtë film kam menduar që këto mite t’i thyejmë apo të paktën t’i zbehim. Filmi ka këtë qëllim”, tha Bajraktari.
Ai pohoi se e gjithë kjo çka është bërë për filmin ka qenë një sfidë për të, aq më shumë parapërgatitja, madje një sfidë e veçantë, mirëpo, ai është ndarë shumë i kënaqur në aspektin artistik dhe atë tekniko-artistik. “Është ndoshta hera e parë që jam ndjerë mirë pas xhirimeve”, tha ai.
Ndërsa jo pak punë kishte aktori i vetëm në film, Virus Shala, i cili dramën e këtij filmi duhet ta përcjell deri tek audienca. “Regjisori ma besoi mua këtë rol, e gjithë kjo ishte shumë e vështirë, sepse e gjithë drama që pretendohet në film, të zgjas rreth një orë, bartet përmes një personazhi, që përveç tjerash unë e kam quajtur edhe guxim të regjisorit”, theksoi Shala.
Ai thotë, kushtimisht, që filmi imponohet tek shikuesi, dhe t’ia imponosh shikuesit një orë film me vetëm një personazh dhe me një ambient të caktuar, siç është një shpellë, duhet të jesh ose gjeni ose budalla. “Unë e besoj këtë të paren për këtë regjisor”, tha ai.
Edhe për Shalën ishte sfidë të luante këtë rol, madje ai shprehet se i pëlqejnë ekstremet, e që në këtë film sipas tij janë dy ekstreme. “Ky personazh është një udhëheqës dhe prej një komoditeti zyre, ai detyrohet të jetojë në një shpellë, ku të vetmen shoqëri e ka zërin e lakuriqit, dhe çdo zë tjetër e ka thjeshtë frikën. Mirëpo, diku ka fundi i qëndrimit të tij në shpellë, për çudi, Zoti ia dërgon një breshkë dhe ai e trajton mirë, e trajton mirë deri në momentin kur nuk ka kah t’ia mbajë dhe në fund e ha edhe atë. Ky kalon në një fazë tjetër, kalon në një çmendi”, tha Shala, për rolin dhe dramën të cilën e bartë ai në këtë film.
Shala thotë se ka punuar shumë për të arritur këtë rol. Gjashtë muaj më herët ka filluar përgatitjet, duke ndërruar kështu edhe fizikusin, mirëpo ai shpreson që ky mund do të shpërblehet. Madje ai nuk dyshon për këtë, pasi ka parë dy apo tri skena të filmit, thotë që filmi ka dalë mirë dhe shumë i veçantë.
Faton Bajraktari, para pak kohësh, kishte sukses në filmin paraprak “Tri dritare”, i cili në katër festivale, sa ishte në konkurrencë, fitoi në tri prej tyre: Në Zvicër në “Swikoss” u shpërblye me çmimin regjia më e mirë, në Tiranë në TIF u zgjodh si filmi më i mirë në konkurrencën kombëtare dhe në Gjilan, “Hyjnesha në fron”, mori çmimin filmi më i mirë i shkurtër.