Malindi, dy gola Elbasanit për të bindur AEK-un e Athinës

Albania-Sport - Enco Malindi ka treguar sot se jo më kot ka tërhequr shpeshherë vëmendjen e klubit të mirënjohur grek të AEK-ut të Athinës, duke shënuar dy golat e asaj fitoreje të rëndësishme të skuadrës së tij, Partizanit, në ndeshjen e zhvilluar pasdreke në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta" të Elbasanit, kundër skuadrës vendase. Ndonëse i futur në pjesën e dytë, në vend të sulmuesit tjetër të ri, Arbër Abilaliaj, Malindit i janë dashur vetëm 22 minuta lojë për të bërë atë që nuk e kishte bërë dot për afro 70 minuta skuadra e tij, duke thyer rezistencën e mbrojtjes vendase dhe duke e kaluar Partizanin në epërsi.
Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, sulmuesi i talentuar shqiptar vijon të siglojë dygolëshin e tij personal, në minutën e 71-të, dhe të vulosë fitoren e "Demave të kuq" në fushën e kampiones në fuqi, Elbasanit. Me këtë fitore, Partizani është barazuar në vendin e tretë të renditjes me Vllazninë, me nga 30 pikë secila, ndërsa Elbasani mbetet në kuotën e 26 pikëve, por humbet një vend në renditje, pasi Dinamo është ngjitur tashmë në kuotën e 27 pikëve. Gjithsesi, ky dygolësh ishte mënyra më e mirë për Malindin, për t'u përgatitur për miqësoren e 6 shkurtit 2007, kundër përfaqësueses u-21 të Greqisë, që do të jetë edhe prova e madhe e këtij lojtari për një kalim te AEK-u i Athinës.
Enco Malindi është më pranë se kurrë ëndrrës së tij për të luajtur në një klub të madh dhe kjo konfirmohet edhe nga fakti se nga ana tjetër, nga ana e AEK-ut, vijnë sinjale pozitive për futbollistin 20-vjecar të Partizanit. Burime pranë klubit të kryeqytetit grek kanë konfirmuar ekzkluzivisht për Albania-Sport.com se futbollisti shqiptar është një nga synimet e këtij klubi në merkato dhe se, pas ndeshjes miqësore të 6 shkurtit, që Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë do të zhvillojë në Athinë me homologët grekë, Malindi ka të ngjarë të thërritet sërish për provë në klubin grek.
"Po, mund të konfirmojmë se klubi ynë është interesuar në disa raste për potencialin e Malindit, - konfirmoi burimi në fjalë për Albania-Sport.com. - Raporti që grupi i zbulimit të talenteve ka përgatitur për këtë lojtar është me të vërtetë mjaft pozitiv dhe mund të themi pa as më të voglin dyshim se ndeshja e Shqipërisë U-21 me Greqinë U-21 do të jetë një provë shumë e rëndësishme për fatin e lojtarit shqiptar në klubin tonë. Nuk duhet harruar që fakti që AEK-u ka një grup mjaft të përgatitur për zbulimin e talenteve dhe, vetëm sezonin e shkuar, ky grup nxorri në skenë talente të tilla si Përparim Hetemaj, Panajot Kone dhe hungarezin Daniel Toszer. Për këtë arsye, mund t'ju siguroj se AEK-u po e ndjek me shumë vëmendje rastin e Malindit."
----------
Elbasani-Partizani 0-2
Shënues: Malindi 67', 72'
Elbasani: Kotorri, Kacollja, Papuci, Leci, Patushi, Koreshi (Mehmetaj 84'), Peric (Kaci 62'), Abdulla (Nallbani 41'), Stojku, Merkoci.
Trajner: Edmond Gëzdari
Partizani: Shehi, Pinari, Beqiri, Hallaci, Muzaka, Dhëmbi, Babamusta, Progni (Gjyla 77'), Bakaj (Bulku 77'), Abilaliaj (Malindi 46')
Trajner: Hasan Lika
Gjyqtarë: K.Meta, G.Maloku, F.Elezi
Kartona të verdhë: Bakaj, Babamusta