Van Basten grumbullon Holandën, “harron” Van Nistelroin

Albania-SportTrajneri i përfaqësueses së Holandës, Marko van Basten, ka publikuar listën e lojtarëve që ai do të grumbullojë për ndeshjen miqësore me Rusinë, që do të luhet të mërkurën në "Amsterdam Arena". Në listën e përpiluar nga ish-lojtari i famshëm i "tulipanëve" bie në sy mungesa e sulmuesit të Realit të Madridit, Rud Van Nistelroi, ndërsa mesfushori Van Bomel ka deklaruar përfundimisht se ai nuk do të luajë për skuadrën përfaqësuese të vendit të tij për sa kohë trajner i saj do të jetë Van Basteni. Midis emrave të përzgjedhur nga Van Basteni, spikat ai i të rikthyerit Klarens Sedorf, i cili luan te Milani, si dhe disa emra të rinj, të cilët trajneri i përfaqësueses ka menduar t'i provojë në sfidën kundër rusëve. Holanda kryeson grupin G të eliminatoreve të Euro 2008-s, me 10 pikë nga 4 takimet e para, dy më tepër se Bullgaria e vendit të dytë dhe tre më shumë se Rumania e vendit të tretë, që ka luajtur gjithsesi një ndeshje më pak se "tulipanët".
Ja dhe lojtarët e grumbulluar nga trajneri Marko Van Basten:
Portierë: Edvin van der Sar (Mancester Junajtid), Marten Stekelenburg (Ajaks).
Mbrojtës: Uilfred Bouma (Aston Vila), Xhovani van Bronkhorst (Barcelona), Tim de Kler (AZ Alkmar), Ërbi Emanuelson (Ajaks), Xhon Heitinga (Ajaks), Kev Jaliens (AZ Alkmar), Jan Kromkamp (PSV Eindhoven), Joris Mathijsen (Hamburg).
Mesfushorë: Najxhël de Jong (Hamburg), Deni Landzat (Uigan Atletik), David Mendes da Silva (AZ Alkmar), Klarens Sedorf (Milan), Uesli Snajder (Ajaks), Rafael van der Vart (Hamburg).
Sulmues: Rajën Babel (Ajaks), Klas Jan Huntelar (Ajaks), Dirk Kujt (Liverpul), Jan Venegor of Heselink (Sëlltik).