Besa, një fitore me emrin e debutuesit Arben Nuhiu

Albania-Sport - Ndonëse sapo ka zbarkuar në kampionatin shqiptar, Arben Nuhiu nuk ka humbur shumë kohë për të treguar sesa vlen, pasi futbollisti shqiptar nga Maqedonia, ka qenë arkitekti i asaj fitoreje 3-1 që Besa ka arritur sot në fushën e vet ndaj Luftëtarit, fitore kjo që e largon skuadrën kavajase edhe më nga fundi i renditjes. Në sfidën e zhvilluar dje në Stadiumin "Besa" të Kavajës dhe të drejtuar nga kryesori Albano Janku me ndihmës A. Mollën dhe D. Rexhën, 34-vjecari Nuhiu ka gjetur rrugën e rrjetës pas vetëm 9 minutash lojë, duke finalizuar me sukses një aksion të skuadrës kavajase.
Gjithsesi, në aksionin që vijon, Luftëtari hidhet në sulm dhe fiton menjëherë një 11-metërsh, të cilin e shndërron në gol gjirokastriti Arlind Nora, i cili përshëndet rrjetën dhe barazon shifrat në 1-1. Por Nuhiu godet sërish, vetëm 6 minuta më pas dhe rikthen epërsinë e vendasve me golin e tij të dytë në këtë debutim me fanellën e verdhezinjve. Kjo epërsi njëgolëshe e kavajasve të trajnerit lezhjan, Vasil Bici, do të thellohej edhe më tej 6 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt të ndeshjes, kur do të ishte sërish Nuhiu ai që do të shndërrohej nga shënues në furnizues, pasi pasimi i tij e la Xhihanin me detyrën e thjeshtë për ta përcjellë topin në rrjetën e boshatisur.
Besa fiton kështu 3-1 në fushën e vet ndaj Luftëtarit, duke u ngjitur në kuotën e 22 pikëve, po aq sa kanë edhe gjirokastritët dhe Flamurtari, që dje barazoi 1-1 në fushën e vet ndaj Vllaznisë. Të trija këto skuadra janë vetëm pikë prapa Elbasanit të vendit të gjashtë, por, ajo cka është më e rëndësishme, janë plot 8 pikë përpara Apolonisë së vendit të parafundit, që, bashkë me Shkumbinin, mbajnë dy vendet e padëshirueshme që të zbresin, sezonin e ardhshëm, në Kategorinë e Parë.