E Diel, 1 Nëntor 2026

Malisheva ende nuk di për fatin e 41 personave të zhdukur

Malishevë, 29 gusht –  Dita ndërkombëtare e të Zhdukurve-30 gushti, e gjen Malishevën me 41 persona fati i të cilëve nuk dihet që nga lufta e përmbyllur në qershor të vitit 1999. Këte e ka bërë të ditur të dielen Hysen Kryeziu, kryetar i Organizatës Joqeveritare “Kujtesa”, me seli në Malishevë.
Ka veçuar se 7 nga të pagjeturit e Malishevës janë zhdukur në Kralan, shumica nga fshati Llapçevë, ndër të cilët ka  edhe gra të moshuara. Rastet tjera janë kryesisht të zhdukur në raste individuale në vende të ndryshme.
Kryeziu ka theksuar se kërkesat e familjarëve të të zhdukurve dhe organizatave që punojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk janë zbehur. “Përkundrazi, familjarët dhe organizatat që i përfaqësojmë ata jemi
edhe me këmbëngulës që sa më parë të zbardhet fati i secilit nga të pagjeturit e deritashëm, pa bërë asnjë përjashtim, ata ishin njerëz, që kanë familje dhe ne nuk heqim dorë nga kërkesat tona qoftë edhe nëse mbetet vetëm një i pagjetur”, ka thënë Kryeziu. Ai ka njoftuar se organizata që drejton ai dhe organizata të tjera simotra kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për sensibilizimin e opinionit të gjerë rreth ndriçimit të fatit të të pagjeturve. Veprimtaritë në këtë drejtim sipas tij kanë qenë të rregullta.
Sipas Kryeziut është bërë freskimi i fotografive të të pagjeturve nga Komuna e Malishevës të cilat planifikohet të vendosen përballë objektit të Qeverisë së Kosovës "me dëshirat që të rifreskohet edhe memorja e atyre që kanë marrë përgjegjësi për fatin e popullit". Ai duke qenë edhe sekretar i organizatës
që përfaqëson personat e pagjetur në nivel të Kosovës ka tërhequr vëmendjen se ka rënë mbështetja financiare nga institucionet për ata që përpiqen të zbardhin fatin e atyre personave. Familjarët e të pagjeturve insistojnë te faktori ndërkombëtar që të bëjnë më shumë presion tek Serbia për zbardhjen e
fatit të më të dashurve të tyre. Ismet Krasniqi nga Malisheva i cili e ka të zhdukur vëllaun dhe djalin e axhës thotë se është me rëndësi shpejtimi i punës në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. “Derisa ndërkombëtarët e kursejnë Serbinë nga presionet familjarë të shumtë të të pagjeturve po vdesin pa e marr vesh fatin e më të afërmëve të tyre”, ka thënë Krasniqi të cilit i kanë vdekur të dy prindërit dhe dy familjarë të tjerë pa u zbardhur fati i më të dashurve të tyre. Edhe Ismail Zogaj nga Bellanica insiston që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›