Rindërtimi i shtëpive për të kthyerit në Klinë është bërë shkel e shko

Klinë, 29 gusht - Komiteti për Komunitete ka paraqitur kërkesën për formimin e një komisioni mbikëqyrës nga Kuvendi Komunal i Klinës lidhur me ndërtimet e shtëpive për të kthyerit, raporton KTV. Nga këta të fundit janë shprehur shumë pakënaqësi për ndërtim të shtëpive të tyre. Një kërkesë e tillë i është adresuar edhe Komitetit për Politik dhe Financa. Ky organ ka rekomanduar që komiteti për Komunitete të kërkoi një raport lidhur me ndërtimet e shtëpive për të kthyer nga Zyra Lokale e Komuniteteve në mënyrë që me pas të diskutohet dhe shqyrtohet mundësia e formimit të një komisioni. Sahit Balija, kryesues i Komitetit për Komunitete, thotë se ka pranuar disa vërejtje nga të kthyerit që i takojnë komunitetit serb dhe RAE se shtëpitë e tyre nuk janë ndërtuar sipas kritereve të parapara dhe punët janë kryer shkel e shko. Balija, tregon se ka një ankesë nga përfaqësuesi serb i fshatit Pograxhë se shtëpitë e tyre nuk janë ndërtuar ashtu siç ka qenë e planifikuar. Po ashtu edhe një familje në fshatin Grapcë është ankuar se punimet në rindërtimin e shtëpisë së tij kanë nisur tash e një vit dhe përfundimi nuk dihet. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fadil Gashi, sqaron se Kuvendi nuk mund të formoj një komision për mbikëqyrje pa pasur informata të duhura.