E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallkimi gjerman i Realit

Gjermania kurrë nuk ka qenë toka e premtuar për klubin e madh madrilen. Reali i Madridit mund të jetë skuadra më e madhe e futbollit e shekullit të 20-të dhe në garë për të qenë më e mira edhe në shekullin e 21-të. Klubi mbretëror spanjoll mund të ketë fituar 9 Kupa të Kampionëve, 2 Kupa UEFA dhe trofe të tjerë ndërkombëtarë si dhe 31 tituj në vendin e tij.
Por, kur vjen puna për të udhëtuar drejt një vendi të Europës, atë e zë paniku pa asnjë dyshim. Ky vend është Gjermania, ku Reali ka luajtur 24 ndeshje në kupat europiane që nga viti 1966 e deri më sot.
Pavarësisht krenarisë, madrilenët janë detyruar të pranojnë se për ta ekziston një “mallkim gjerman”, me vetëm 1 fitore në 24 ndeshje dhe me plot 17 humbje. Edhe golaverazhi është thuajse i turpshëm: 22 gola të shënuar e 54 të pësuar.
Pak rëndësi ka nëse kundërshtari është quajtur Bajern i Mynihut, Dortmund, Hamburg, Kaizerslautern, TSV 1860 Mynih apo Këln, madje nuk ka bërë përjashtim as kur ka qenë një skuadër e ish-Gjermanisë Lindore si Karl Cajs i Jenës.
Po bëhen gati 50 vjet dhe fitorja e vetme është regjistruar në sezonin 2000-2001 në Leverkuzen, me rezultatin 3-2.
Tmerri më i madh është Bajerni i Mynihut që e ka mundur skuadrën madrilene 9 herë në 10 takime, ndër të cilët njëri ka përfunduar në barazim.
Dushi i fundit i ftohtë ndodhi në gjysmëfinalen e vjetshmë në Champions, kur bavarezët e eleminuan skuadrën e Murinjos me 11-metërsha, ndërsa mesjava regjistroi humbjen e radhës, këtë herë në fushën e Dortmundit me rezultatin 1-2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›