Kapen 8 tonë gëzhoja predhash
SKRAPAR/ DILAVER XHELILI
Sekuestrohen tetë tonë gëzhoja pre-dhash, të cilat po transportoheshin nga Skrapari me qëllim shitjen për skrap në Elbasan. Dy persona u arrestuan, pasi ata u kapën në flagrancë duke transportuar gëzhojat e predhave që përdoren nga topat obuze. Ato kanë qenë të sistemuara më parë në magazinat e Repartit Ushtarak Bigas të Skraparit. Burime të policisë bënë të ditur se janë arrestuar shtetasit Sali Peshtanaku, 51 vjeç nga lagjja "Uznovë" e Beratit dhe Artur Guri, 34 vjeç, banues në çorovodë. Peshtanaku u kap dje rreth orës 01:00, duke transportuar sasinë e mësipërme me automjetin e tij tip kamion, me targë BR 91 63 A. Mësohet se predhat e artilerisë përdoreshin për topat obuzë. Ato ishin vjedhur fillimisht nga 34-vjeçari Guri në Repartin e Demontimit që ndodhet në fshatin Bigas, Skrapar. Më pas, sipas policisë, ai ia ka shitur ato kundrejt shumës 206.000 lekë Gëzim Peshtanakut. Burime të policisë bënë të ditur se prej disa kohësh po punonin në rrugë operative, për të zbardhur autorët e kësaj vjedhje. Kjo pasi blutë ishin informuar më parë se në këtë repart kryheshin vjedhje. Mësohet se këto gëzhoja janë marrë nga Kombinati Ushtarak në Poliçan dhe janë vendosur në këtë repart, rreth 1 km larg qytetit të çorovodës. Dy të arrestuarit e djeshëm kanë qenë në survejim nga policia. Në momentin që makina është ngarkuar me këto municione, blutë ishin organizuar duke iu zënë pritë në vendin e quajtur "Qafa e Shëmtodës", ku pozicioni ishte mjaft i përshtatshëm për forcat e policisë, në raste kontrolli dhe arrestimesh. Pikërisht për shkak të pozicionit të zonës ku u bë ndalimi nuk u mundësoi dot autorëve arratisjen. Ata janë arrestuar në vend, në kushtet e flagrancës. Sipas burimeve të policisë, destinacioni i këtyre gëzhojave ishte ish-kombinati metalurgjik në Elbasan, ku do të shiteshin për skrap. Sasia prej 8 tonë është metal bakri dhe si i tillë ai është tepër i kushtueshëm. Gëzim Peshtanaku që kishte blerë këtë sasi të madhe bakri do ta shiste atë në Elbasan me 4 mijë lekë të vjetra për çdo kilogram. Mësohet se kjo zonë përmban sasi të mëdha municionesh me përbërje prej bakri. Madje, tashmë kësaj zone i është shtuar dhe reparti i demontimit në shkallë vendi. Përveç sasisë së 8 tonë gëzhojave, blutë sekuestruan edhe automjetin që i transportonte ato. Ndërsa të arrestuarit u akuzuan për veprat penale "Përvetësim i mallrave të vjedhur".