Digjen 3 shtëpi, flakët rrezikojnë gjithë fshatin
LEZHE - Tri banesa u dogjën dhe disa të tjera rrezikojnë të shkrumbohen nga flakët në fshatin Kaçinar të komunës Kolsh në Lezhë. Të ndihmuara edhe nga era, flakët janë përhapur me shpejtësi të frikshme, çka solli edhe evakuimin e banorëve. Sipas policisë, zjarri depërtoi në fshatin Kaçinar që herët në mëngjes, ndërsa po dje rreth orës 12:00 është afruar te banesat. "Flakët kanë depërtuar nga malet e Mirditës për në zonën e Lezhës, duke vënë në gatishmëri të lartë ekipet zjarrfikëse, shtabet e emergjencave civile dhe ushtrinë", bënë të ditur burime nga grupi i punës në shuarjen e zjarrit. Terreni i vështirë dhe malor ka vështirësuar ndjeshëm punën për shuarjen, nga ku më pas flakët kanë përparuar deri në afërsi të fshatit Manati. Për këtë rast është kërkuar edhe mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes dhe asaj e Mjedisit. Banorët e zonës nuk kanë hezituar për t'u evakuuar, pasi gjendja ishte tejet alarmante, ndërsa era favorizonte gjithnjë e më shumë përhapjen e flakëve. Sipas të dhënave nga drejtuesit e pushtetit lokal, por edhe ato të emergjencave civile, deri në mbrëmje ishte djegur një sipërfaqe rreth 300 hektarë, ndërsa zjarri vijonte të gllabëronte dhe të zgjeronte perimetrin e zonës së djegur. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikës nga Lezha, Kurbini dhe Mirdita, ndërsa në ndihmë janë paraqitur edhe përfaqësuesit e njësive vendore. Banorët deklarojnë se kanë qenë të detyruar për t'i braktisur shtëpitë e tyre dhe për të lënë gjithçka në mëshirë të fatit. Ata shprehen se zjarri ka disa ditë që ka rënë në malet e Mirditës, por mosshuarja e tij ka bërë që ato të përparojnë deri në zonën e Lezhës. Sipas banorëve janë mbi 8 shtëpi të cilat mund të përpihen nga flakët nga momenti në moment dhe është tepër e vështirë për të penguar vërshimin e flakëve. r.n