SHBA dhe Turqia së bashku kundër terrorizmit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka takuar kryeministrin turk, Rejjep Tayip Erdogan, për të diskutuar luftën kundër terrorizmit dhe çështjet rajonale.
Gjatë takimit në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zyrtarët amerikanë theksuan se Obama e ka nxitur Erdoganin të punojë në zbutjen e tendosjeve mes Turqisë dhe Izraelit.
Marrëdhëniet e dy aleatëve amerikanë janë tendosur pas incidentit të vitit 2010, kur izraelitët kanë sulmuar flotën që dërgonte ndihma në Gaza, duke vrarë nëntë aktivistë turq.
Në deklarimin publik për gazetarët, Obama ka dënuar sulmet e së martës në Ankara dhe ka premtuar bashkëpunim më të madh amerikano-turk në luftën kundër terrorizmit.
“Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e jetëve nga shpërthimi që ndodhi në Ankara. E di se hetimet janë në zhvillim, por një gjë e tillë na kujton se terrorizmi ekziston në shumë pjesë të botës. Turqia dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë partnerë të fortë në parandalimin e tij”, tha Obama.