E Diel, 1 Nëntor 2026

Maloku: Kuvendi të merret me raportin e GNK-së rreth Kosovës

Prishtinë, 31 gusht  - AAK është shprehur e shqetësuar të martën në lidhje me rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (GNK) për veriun e Kosovës, rekomandime këto të cilat, sipas zyrtarëve të kësaj partie, bazohen në intervistat dhe qëndrimet që kanë dhënë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku akuzoi Qeverinë se në bazë të opinioneve dhe qëndrimeve që ka dhënë, kanë dalë edhe rekomandimet e GNK-së, që veriu i Kosovës të ketë një autonomi të zgjeruar apo një lloj vetëqeverisjeje, jashtë Pakos së Ahtisarit.
Ndërkohë AAK ka nxjerrë disa citate të zyrtarëve të Qeverisë, një nga këto citate ndërkaq është edhe opinioni i një zyrtari të lartë të Qeverisë, zyrtar anonim, i cili në intervistën dhënë GNK-së, më 18 qershor thotë: “Në raportin e publikuar të enjten që shkoi, GNK rekomandon një autonomi më të madhe për veriun dhe një status autonom për monumentet ortodokse serbe, siç parashihet në Planin Ahtisari, në shkëmbim për njohjen nga ana e Serbisë”.
Lidhur me problemin e veriut, Grupi Ndërkombëtar i Krizave propozon tri zgjidhje të përfytyrueshme, si Planin e Ahtisarit, autonominë më të zgjeruar dhe shkëmbimin e territoreve.
Por, nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku thotë se ky subjekt politik është kundër zgjidhjeve për veriun, jashtë Pakos së Ahtisarit.
AAK rekomandoi që Kuvendi i Kosovës, në njërën prej seancave të para vjeshtore, të merret me Raportin e GNK-së dhe të kërkojë prej Qeverisë sqarime për gjetjet në raportin e GNK-së.
Gjatë javës, kjo parti, edhe zyrtarisht do të deponojë kërkesën ne Kryesinë e Kuvendit për të kërkuar që të diskutohet kjo çështje në njërën nga seancat e ardhshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›