E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjilani me katër shkolla të reja për këtë vit shkollor

Gjilan, 31 gusht - Komuna e Gjilanit, me 27 mijë nxënës dhe personel arsimor prej 2 mijë vetash, ka bërë të gjitha përgatitjet për ta filluar suksesshëm vitin e ri shkollor 2010/2011. Kështu ka thënë drejtori i Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzati, në një takim me drejtorët e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme të kësaj komune.
Këtë e konfirmoi edhe kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, i cili poashtu mori pjesë në këtë takim, dhe uroi një fillim të mbarë të procesit edukativo-arsimor në Gjilan.
"Uroj një vit të mbarë shkollor akademik që po pretendojmë të jetë më i lehtë për nga funksioni por më i mirë e më i begatë për nga mundësitë që jep", është shprehur kryetari Mustafa në urimin e tij për vitin e ri shkollor.
Ndërsa, lidhur me pranimin e kuadrit të ri shkollor për këtë vit, ai ka thënë se komisioni ka vepruar i pavarur. "Nëse ne nuk kemi mundur t’i ndihmojmë, së paku nuk e kemi penguar. Me rëndësi është se është punuar me kritere", ka thënë ai dhe të njëjtën kohë ka siguruar për rregullsinë e këtij procesi.
Nga ana tjetër, drejtori i arsimit, Bujar Nevzati, ka thënë se ndjehet krenar me punën që është bërë dhe po bëhet në arsimin gjilanas, me theks të veçantë për transparencën e plotë në Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe punën e komisionit intervistues për pranimin e kuadrit arsimor në Gjilan, përkundër angazhimeve të mëdha që ka pasur drejtoria e arsimit në ktë kohë. "Edhe pse ka qenë kohë pushimi për shkollën, ne nuk jemi ndal së punuari", ka thënë ai. Edhe ky ka deklaruar se nga gjithë ai numër i konkurruesve të kuadrit mësimor, janë zgjedhur më të mirët.
Drejtori Nevzati ka njoftuar për përgatitjet teknike, administrative, që janë bërë për ta nisë mbarë mësimin për këtë vit. "Risi për këtë vit është se fillojmë edhe me katër shkolla të reja në komunë, me atë fillore në lagjen e VIII, në Selishtë të Zhegrës, dhe me anekset e shkollës fillore "Abaz Ajeti" dhe asaj të mesme bujqësore "Arbëria"', ka thënë Nevzati.
Duke iu referuar disiplinës në shkolla, kryetari Mustafa ka paralajmëruar sjelljen në minimun të ekseseve nëpër shkolla, ndërsa ka paralajmëruar hapjen e një Qendre për trajtim të rasteve asociale nëpër shkolla që janë pengesë në procesin e mësimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›