Berat, arrestohet i dënuari për falsifikim dokumentesh
Ishte dënuar në mungesë, pasi u shpall fajtor nga gjykata me akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe falsifikimit të vulave dhe stampave, ndërkohë që pasditen e djeshme është arrestuar nga policia për vuajtjen e dënimit. Burime të Komisariatit të Policisë Berat bëjnë me dije se pasditen e djeshme nga ana e Sektorit të Krimit Financiar është bërë ekzekutimi i urdhrit të organit të akuzës që mban datën 28. 2. 2009 për ndalimin e Artan Dropullin.
Ky urdhër mësohet të ketë kërkuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Beratit që mban datën 10. 12. 2008, vendim i cili ka dënuar me gjashtë muaj dhe 4 milionë lekë gjobë Dropullin, 28 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Barikadë në Berat. Gjykata mësohet të ketë gjykuar në mungesë këtë të fundit pasi është paditur nga ana e prokurorisë për falsifikimin e dokumenteve të ndryshëm, falsifikimin e stampave dhe vulave. Në kohën që ka qenë nën hetim Dropulli mësohet se i shpëtoi arrestimit duke u larguar nga vendi. Ai u shpall fajtor nga gjykata e faktit berat dhe u dënua në mungesë me gjashtë muaj burg dhe 4 milionë lekë gjobë. Pasditen e djeshme pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se ai ish kthyer në banesën e tij në qytetin e Beratit policia bëri të mundur arrestimin Dropullit. Po dje organet e policisë gjyqësore dhe ata të prokurorisë në bashkëpunim me policinë e paraburgimit përgatitën dokumentet dhe dosjen përkatëse në bazë të procedurave ligjore për të nisur të dënuarin Dropulli në vendin e vuajtjes të dënimit. Vlen të përmendet se me rastin e djeshëm shkon në 6 numri i të dënuarve në mungesë dhe po 6 rastet janë arrestuar nga organi blu dhe janë dërguar më pas në kampet e vuajtjes të dënimit.