E Diel, 1 Nëntor 2026

Mamurras, Nikolla: “Programi i PS-së, integrim të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri”



Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, ka bërë prezantimin e programit të Partisë Socialiste me banorë të qytetit të Mamurrasit. Nikolla është shprehur se me ardhjen në qeverisje të Partisë Socialiste do të ndryshojë edhe e ardhmja e shqiptarëve, ku do të garantohet më shumë ndihmë për shtresat në nevojë dhe më shumë punë për të zhdukur varfërinë. “Partia Socialiste në programin e ri të saj e rikoncepton tërësisht procesin e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuar. Në këtë program, që nuk është një listë premtimesh, por një dokument qeverisës, është parashikuar një vlerësim i ri i personave me aftësi të kufizuara. Vlerësim i ri, që nënkupton jo vetëm vlerësimin mjekësor, por dhe atë social njëherësh. E gjitha kjo për të mundësuar integrimin e këtyre shtresave. Në qytetin e Mamurrasit dhe në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, do të ndërtohen qendra komunitare për shërbimet e nevojshme për personat me aftësi të kufizuar”, - tha ajo.

Rama: “Presidenti Topi të ndërhyjë për ruajtjen e Muzeut të Shkencave të Natyrës”

Një përfaqësi e Partisë Socialiste, e kryesuar nga kreu i saj, Edi Rama, i ka bërë apel presidentit të vendit Bamir Topi që të marrë në shqyrtim vendimin e Gjykatës së Lartë, vendim i cili kthen tek pronari tokën mbi të cilën është ndërtuat Muzeu i Shkencave të Natyrës. Kreu i Partisë Socialiste, së bashku me përfaqësues të tjerë nga selia rozë, kanë qenë dje para Muzeut të Shkencave të Natyrës. Rama kërkoi nga institucionet përgjegjëse rishqyrtim me imtësi të fakteve, të cilat, sipas tij, çuan në marrjen e këtij vendimi absurd. “Është e domosdoshme marrja e menjëhershme e iniciativës nga Presidenti i Republikës për ta mbrojtur këtë pasuri dhe, nga ana tjetër, shqyrtimi me imtësi i të gjitha fakteve që kanë çuar në këtë vendim absurd. Pasi pa pasur asgjë kundër pronarëve ne nuk mund të jemi qorra dhe shurdhë karshi kësaj pasurie dhe karshi kërkesës së brezit që do vij, pasi jua kemi borxh atdheun dhe të gjitha pasuritë e tij”, - u shpreh kryesocialisti Rama.

8 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›