E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mamurrasi, vendi i një misteri të vjetër

Deri para pak vjetësh, kushdo që do të udhëtonte për në Veri duhej të kalonte patjetër nga Mamurrasi, qoftë me tren, qoftë me makinë. Xhadeja e vjetër e ndante qytetin më dysh. Në njërin krah ishin pallatet e reja të socializmit, të banuara nga punëtorët e fermës të ardhur nga zonat përreth. Në krahun tjetër ishin banorët më të vjetër. Ata që e kishin themeluar dikur qytetin, duke i zhvatur pyllit dhe kënetës çdo pëllëmbë tokë. Qyteti ishte i vogël, më shumë një fshat me pallate, por makinat që shkonin e vinin i jepnin një lloj gjallërie, të cilën pastaj e përcillnin edhe banorët e lodhur të qytetit. Rruga nacionale është shtyrë disa kilometra më në Perëndim dhe tani Mamurrasi është i detyruar të kënaqet vetëm me gjallërinë e banorëve të tij dhe të fshatrave përreth.

Ka nga ato vende, të cilat neve, që vijmë nga një botë e rrëmujshme dhe e stërmbushur nga protagonizmi, na ngjallin atë ndjenjën e një kohe të ngrirë, të një ndjesie sikur përveç ndërrimit të natës dhe të ditës në këto anë nuk ndodh asgjë tjetër. Sigurisht që është një ndjesi e gabuar, e yshtur fort edhe nga etja jonë për t‘u marrë me ngjarje dhe vende më të rëndësishëm. Sido që të jetë, një varg koincidencash na e sollën edhe një herë ndër mend Mamurrasin. Shkrimi i kësaj jave do të dalë më 6 prill. Është një datë që mbahet mend lehtë. Një ditë më pas është 7 prilli, data që na kujton pushtimin fashist të Shqipërisë. Pikërisht, prandaj 6 prilli na kishte mbetur ndër mendje si nga të paktat data që mbajmë mend. Më 6 prill të 1924-ës, ditë e diel, njësoj si sot, në një paradite të heshtur, dy amerikanë dhe një shofer shqiptar mbetën viktima të një atentati, autorët e vërtetë të të cilit nuk u zbuluan kurrë. Ngjarja shërbeu si katalizator për të shembur godinën politike të brishtë që mbahej në këmbë në Tiranë. Dy muaj më pas shpërtheu kryengritja e drejtuar nga Fan Noli.

Mamurrasi del rrallë ndër libra apo gazeta. Demokratët e tij janë përmendur shumë herë nga Berisha, fitorja e socialistëve në zgjedhje lokale habiti jo pakkënd, por vetëm kaq, pastaj qyteti që lindi nga pylli i dendur harrohet sërish. Ndërsa dëgjojmë lajmin mbi dy djem të rinj që kanë grabitur një taksi që i kishte sjellë në Mamurras, atëherë kujtohemi se 84-vjetori i asaj vrasjes enigmatike mund të ishte një rast i mirë për ta parë sërish Mamurrasin dhe për të takuar njerëzit e tij.

Historia që ngatërrohet me të sotmen

Një urë e madhe mbi rrugën e re Tiranë-Shkodër është shenja e parë se këtu duhet të kthehemi për të shkuar në Mamurrasin e vjetër. Fushë-Mamurrasi është një fshat goxha i madh. Është ende mëngjes herët dhe në rrugën që lidh qytetin me rrugën e re kalojnë vetëm furgona që shpejtojnë të çojnë njerëzit në Tiranë. Për të takuar ndonjë njeri që na duet për punën tonë do të na duhet të presim deri sa qyteti të zgjohet nga gjumi. Strukemi në një lokal të ri në anë të një magazine të madhe. Këtu, në periferi të Mamurrasit grumbulloheshin prodhimet nga fusha. Mëngjesi është ende i ftohtë dhe një mjegull e dendur nuk na lejon të shohim shumë matanë xhameve. Ndërsa jemi duke pritur bëjmë ca muhabet me një të moshuar, që mesa duket është edhe roja i lokalit. "O xhaje, a e di ti atë historinë e atyre dy amerikanëve që janë vra ktu?", e pyet njëri prej nesh. "Xhaja" është çuar sakaq në këmbë. "Ktu as janë vra dhe as kanë për t‘u vra amerikan. Po shifni mirë se ça pysni!", përgjigjet ai gati-gati i revoltuar. Njëri prej nesh ia shpjegon edhe një herë gjerë e gjatë se kjo vrasje ka ndodhur vërtet. "E kanë shkrujt edhe gazetat e Zogut, edhe librat, mër xhajë, nuk po ia kpusim kot! Kjo histori ka ndodhë në 1924, ka qenë prill si tashti…", këmbëngul ai. Xhaja bëhet edhe më mosbesues. "Nuk di gjo vallahi, unë vetë kom le në 1931-in". E morëm vesh, për të mësuar ndonjë gjë për këtë histori do ta kemi ca të vështirë. Megjithatë Mamurrasin e sotëm do ta shohim të paktën. Rimë edhe disa kohë e hedhim sytë mbi xhadenë e vjetër, mbi të cilën udhëtonim dikur kur shkonim për në Veri. Na bën habi se si kjo xhade e ngushtë, tashmë e mbushur me gropa, e ka mbajtur trafikun që rëndonte mbi shpinën e saj.

Më në fund ka mbërritur Ahmet Zani, një miku dhe kolegu ynë i vjetër që banon në Fushë-Mamurras. Ahmeti nuk mendohet shumë, duke rrufitur kafenë e tij të mëngjesit. "Po shkojmë bashkë te disa të moshuar që njoh unë, - na thotë, - po të tillë kanë mbetur pak, megjithatë…". Kështu kemi hyrë në Mamurras. Na duket vetja si në të gjitha qytezat e tjera të Shqipërisë. Me kafenetë që kanë nisur të nxjerrin tym, të stërmbushura me burra, me fëmijët që vrapojnë për në shkollë, me furgonat e shumtë në qendër, shoferët e të cilave bëjnë potere me njëri-tjetrin, kush e kush të marrë sa më shumë pasagjerë, me ndonjë grua të rrallë që mendohet gjatë përballë ndonjë dyqani. Është e njëjta veshje dhe e njëjta arkitekturë si në plot e plot vende ku kemi shkelur më parë. Vetëm ndonjë kostum mirditor, apo zadrimor i ndonjë malësoreje të zbritur tash së fundi na bën me dije se tashmë jemi krejt në kufi me zonat tradicionale të Veriut.

Ahmeti po bën mund që të gjejë të moshuarit. "Paskeni ardhë more komunista?", para një dyqani të mjerë një burrë i veshur keq pret reagimin tonë, ndërsa ka hedhur atë fjalinë e tij pa kuptim. Mirë është që në të tilla raste të mos përgjigjesh fare. Po njëri prej nesh ia ka marrë dorën politikës së provincës. "Përse na ofendon mër jahu, po ne jemi fashista! Nuk e shikon që e kemi makinën e zezë?". "Ashtu po, jemi në rregull", belbëzon "politikani" dhe kthehet te një tufë me pras që kanë nisur të vyshken paksa rrezikshëm. Ky refreni "me cilin jeni" do të na ngatërrohet shumë herë nëpër këmbë gjatë këtij udhëtimi jo edhe aq të gjatë.

"Baba jonë Nel Kuqi"

Më në fund Ahmeti është kthyer i kënaqur. Na ka gjetur jo vetëm një, por katër të moshuar njëherësh. "Janë djemtë e Nel Kuqit nga Kruja, - thotë Ahmeti, - i ati i tyre ishte i pari që u ngulit këtu ku jemi sot, pasi kishte një restorant dhe një hotel". Të parin takojmë Hasan Kuqin, pastaj me radhë vëllezërit e tjerë, Ramazanin, Mustafain dhe Ismailin.

Rrëfimin e nis Hasani. Baba jonë ka qenë vendos këtu që në 1917-n. Punonte si hyzmeqar. Në atë kohë këtu ka qenë krejt pyll. Një pyll i dendur e i pafund. Pak nga pak baba, bashkë me një ortak shkodran Ndoc Kola ngritën restorantin dhe më vonë një hotel me tetë dhoma. Lokali frekuentohej nga udhëtarët që bënin rrugën e Veriut. Në 1924-ën e mbrapa kanë ardhur kosovarët dhe janë vendosur këtu. Kështu ka nisur të popullohet ky vend, por deri në përfundim të luftës shtëpitë numëroheshin me gishtat e dorës. Hotelin e kemi mbajtur deri sa u ndërrua regjimi, pastaj atë e shtetëzuan dhe e përdorën për zyra. Ja këtu ku jemi ulur, ai trualli bosh atje - bën me dorë Hasani nga një shesh i vogël - ka qenë vendi ku ishte hoteli". Biseda nis të ngatërrohet, sepse vëllezërit plotësojnë njëri-tjetrin sa më shumë që u kujtohen histori të vjetra. Ne arrijmë të shënojmë, një aventurë familjare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëri nga vëllezërit ishte plagosur madje nga një breshëri që gjermanët i lëshuan një grupi partizanësh. Një partizan mbeti i vrarë, Hasani u plagos, kështu që familja për disa muaj është strehuar më pas te disa miq në Tiranë, diku andej nga Shallvaret. "Ato po që ishin kohë të mira për ne, - psherëtin njëri prej tyre, duke kujtuar fëmijërinë, - ishte luftë vërtet, por ne atje as që e ndjemë fare. Pastaj kur kemi ardhë sërish në shtëpitë tona këtu, e kemi parë punën pisk, sepse u ndodhëm në fillim mes dy zjarreve, mes gjermanëve që tërhiqeshin nga Tirana dhe partizanëve që u ishin vënë në ndjekje. Mbaj mend në një postbllok gjerman na ka ndihmuar të kalonin gjermani që kishim këtu. Ishte inxhinier i pyjeve dhe ka qëndruar këtu deri vonë. Më duket se edhe pas lufte për disa muaj".

Ardhja jonë u ka shërbyer edhe vëllezërve të kujtojnë edhe një herë bashkë ato që kanë ndodhur vite e vite më parë. Kështu që i lemë do kohë të çmallen me të kaluarën e tyre. "Hoteli", "tetë dhomat", "magazinat", "restoranti", "baba", këto sigurisht janë fjalët më të përdorura gjatë bisedës. Pastaj pak nga pak vjen puna tek e sotmja, ose të paktën tek e kaluara më e afërt. "Ore - kujtohet njëri prej tyre - se nuk na e thatë, po me cilin jeni juve xhanëm?". Kur ne i themi se jemi me punën, atëherë ai këmbëngul sërish: "Po puna me kë është?". Me një fjalë biseda ngatërrohet fort nga historitë e vjetra te politika e sotme, të cilën këtu me sa duket e ndjekin më shumë se sportin.

Gjithsesi, me gjithë disa minuta të mundimshme, arrijmë të kthehemi edhe një herë në temë. "Po ajo vrasja e amerikanve ku ka ndodhur ekzaktësisht?", gjejmë kohën të pyesim. Atëherë pjesëmarrësit në bisedë i hyjnë një tjetër diskutimi, derisa më në fund përgjigja është një kundërpyetje: "Austriakët apo amerikanët?". Më në fund sqarohemi. "Po amerikanët janë vrarë këtu afër, pak metra më tej, ja atje mes pazarit dhe shkollës.

Vërtet, brenda pak minutash kemi mbërritur në vendin e asaj ngjarjeje, të cilën jemi munduar shumë herë ta përfytyrojmë. Është një rrugicë e shtruar me çakëll, e kufizuar nga një anë nga oborri i shkollës dhe, nga ana tjetër, nga muri i pazarit. Asnjë shenjë nuk të bën të besosh se këtu ka ndodhur një nga ngjarjet më enigmatike të Shqipërisë së kaluar. Një grua me një qe me fara përpara pret me durim që të bjerë zilja, atëherë, nxënësit do të vrapojnë drejt saj. Me sytë e ngulur andej nga duhet të kenë ardhur dy amerikanët, ajo përtyp e qetë farat e saj. "Unë e mbaj mend këtë vend se si ka qenë pa u bërë këto shtëpitë. Ka qenë një si shteg i ngushtë, që depërtonte brenda në pyll. Baba ka qenë ktu kur ka ndodhë ajo ngjarje. E përmendte shpesh. Po ajo punë ashtu mbeti mo, nuk u muar vesh se kush i vrau e pse i vrau", thotë njëri nga djemtë e Nel Kuqit.

"Linda në zgavër lisi"

Muharrem Elezi është 78 vjeç. Ka lindur në Mamurras vetëm katër vjet, pasi prindërit e tij u vendosën këtu të ardhur nga Istogu i Pejës. "Kam lindur në një zgavër lisi, - thotë, - atëherë na s‘kishim as shpi. Vetëm nji ksollë në mes të pyllit sa me fut kryet. Asgja tjetër. Pastaj na ka dhanë shteti tokë. Po toka ndahej asokohe me miratimin e njerzve të këtushëm. Na u dote me pasë tre vendas që dëshmonin se ishin dakord. E kshtu ma mrapa kemi nisë të hapim toka. Kanë ardhë edhe familje të tjera kosovare dhe e kemi shpyllëzue këtë vend pak e nga pak. Pra se të vishim ne këtu ka qenë krejt pyll e ferra. Kemi pasë nji fat të madh se me njerëzit që gjetëm këtu kemi shku shumë mirë. Na janë gjetë në ato momente shumë të vështira. Sepse ne edhe vushim shumë nga klima. Kishim ardhë nga malet nuk mund të duroshim dot mushkonjat e kënetat. E kshtu…".

Ardhja e "Bacës" ka hapur një tjetër muhabet. Ai i mban mend përmendësh sinorët e vjetër të banorëve. E kështu plaku nis t‘u përgjigjet pyetjeve një nga një, ku janë tokat e filanit, a thu e ka të drejtë filani, po atje matanë kush i ka pasë?

Ka ardhur koha të kthehemi dhe t‘i lemë pas historitë e vjetra. Një merak i fundit na ka mbetur akoma: Droja. Në skaj të këtij përroi ishte vendosur dikur reparti ushtarak, ku studentët e Universitetit të Tiranës bënin stërvitjen e detyrueshme ushtarake. Shumë prej nesh kanë kujtime nga ai grumbull ndërtesash. Brenda pak minutash jemi në Drojë. Godinat e komandës, fjetoret, mensat, klubi në qendër ose janë shkatërruar, ose janë shndërruar në banesa të të ardhurve rishtas. Në repartin, ku dikur strehoheshin me mijëra studentë, tani kullosin qetësisht disa dele. Matanë lumit, atje ku duken shtëpitë e reja të fshatit Drojë, na bën përshtypje një si shtëpi e veshur me lecka. "Është një i çekuilibruar, që nuk pranon të shkojë gjëkundi tjetër", na shpjegon Ahmeti. Ato ngjyrat e hareshme të "shtëpisë prej lecke" na duken e vetmja gjë e gëzuar në krah të përroit të Drojës. Shpejt jemi në rrëmujën e rrugës së re. Radioja na e heq menjëherë mendjen nga vrasjet e kahershme. Në Bukuresht, Shqipëria është ftuar në NATO. "Tani kemi me se të merremi", thotë i gëzuar njëri prej nesh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›