E Diel, 1 Nëntor 2026

Mamushasit sulmojnë zyrtarët e KEK-ut dhe fyejnë kryetarin e komunës

Prizren, 13 gusht – Revolta e një pjese të banorëve të Mamushës e shkaktuar nga ndërprerja kolektive e rrymës në këtë lokalitet, që është manifestuar të enjten pasdite me sulmin fizik ndaj punonjësve të Korporatës Energjetike të Kosovës, është shoqëruar edhe me shfryrjen e mllefit ndaj kryetarit të komunës, Arif Bytyç. Sipas zyrtarëve dhe banorëve të kësaj komune, kryetari Bytyç është bërë cak i fyerjeve në momentin që ka tentuar që të qetësoj masën, e cila po protestonte ndaj veprimeve të zyrtarëve të KEK-ut, të cilët për shkak të borxheve të mëdha të konsumatorëve kishin ndërprerë furnizimin me energji elektrike.
"është e vërtetë se një grup i qytetarëve të pakënaqur me zhvillimet rreth rrymës kanë fyer verbalisht kryetarin e komunës, Arif Bytyç, i cili në ato momente po përpiqej që të ndërmjetësonte dhe të qetësonte situatën", ka thënë nënkryetari i komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniq.
Ai ka theksuar se pavarësisht nga kjo ngjarje e pahijshme, kreu i komunës gjatë ditës së premte ka vazhduar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte rifurnizimin e Mamushës me rrymë.
"Ai episod është kaluar dhe kryetari Bytyç është duke vijuar takimet me zyrtarët e KEK-ut për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët", ka deklaruar Krasniq.
Në bazë të raporteve të policisë rajonale të Prizrenit protestat që kanë eskaluar në dhunë kanë ndodhur të enjten pasdite, kur disa banorë të Mamushës të pakënaqur me veprimet e KEK-ut, kishin sulmuar disa punonjës të kësaj korporate  dhe më këtë rast kanë demoluar edhe një veturë zyrtare.

"Njësitë patrulluese dhe njësia speciale operative kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe posa kanë mbërri, kanë raportuar se aty ishin mbledhur rreth 300-400 njerëz të cilët kishin bllokuar rrugën me dy automjete “Toyota” të KEK-ut në shenjë pakënaqësie për ndërprerjen kolektive të korrentit. Sakaq kishte arritur edhe kryetari i fshatit. Disa fshatarë, sipas hetimeve fillestare, thuhet ta kenë fyer dhe sulmuar kryetarin e disa të tjerë i dalin në mbrojtje dhe përkrahje. Policia ka shpërndarë protestuesit duke përdor shufra dhe sprej", ka thënë zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha.
Sipas tij, pas qetësimit të situatës policia ka arrestuar katër të dyshimtë për sulm ndaj personave zyrtarë,  të cilët në konsultim me prokurorin po mbahen nën arrest.
Në anën tjetër KEK-u përmes një komunikate për shtyp pat sqaruar se punonjësit e saj kishin dalë në terren pas ndërmjetësimit të kryetarit të komunës dhe përfaqësuesve të komunitetit për mënyrën e rregullimit të shërbimeve të korporatës ndaj konsumatorëve të kësaj zone.
"Por, konsumatorët për dy ditë rresht kanë penguar punën dhe vetëm pas ofrimit të mbështetjes së policisë, është arritur të bëhet shkyçja nga rrjeti elektrik i borxhlinjve. Gjatë kryerjes së shkyçjeve, te trafoja që furnizon 120 konsumatorë në lagjen Mazreku të Mamushës, të cilët i kanë borxh KEK-ut mbi 300 mijë euro, dy punonjës të KEK-ut janë sulmuar fizikisht dhe kanë marrë lëndime të rënda", thuhet në komunikatën e KEK-ut. Në bazë të këtij raporti punëtorët e lënduar janë shtrirë në spital, ndërkohë që një veturë zyrtare është demoluar. Pavarësisht këtyre zhvillimeve KEK-u ka shprehur vendosmërinë për vijimin e punës në shkyçjen e borxhlinjve të këtij rajoni sikurse edhe për ofrimin e shërbimeve për konsumatorët të cilët i kryejnë me rregull obligimet.
Në bazë të dhënave të KEK-ut borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve të Mamushës kap shifrën prej afër 1 milionë e 300 mijë eurosh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›