E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man City e ‘skuq’ Unitedin, 6-1

Manchester City ka fituar derbin e qytetit përball Manchester Unitedit me rezultat 6-1 në Old Trafford dhe ka shtuar në pesë pikë epërsinë në krye të renditjes në Premierligë.

Në atë që mund të konsiderohet si njëra prej goditjeve më të fuqishme që ka marrë në vitet e fundit, kampioni aktual i Premierligës, Manchester United u mposht bindshëm në shtëpi – gjë që ndodh shumë rrallë – nga kundërshtari më i padëshiruar, rivali i qytetit, City.

Skuadra e Roberto Mancinit kaloi në epërsi në minutën e 22-të me golin nga sulmuesi italian Mario Balotelli. Telashet e Unitedit u shtuan në minutën e 47-të kur mbrojtësi Evans u përjashtua me karton të kuq pas ndërhyrjes së tij si futbollist i fundit ndaj Balotellit.

Nuk shkoi gjatë dhe City shfrytëzoi përparësinë numerike duke dyfishuar epërsinë pas saktësisht një ore lojë. Realizator ishte sërish Balotelli pas një aksioni të ndërtuar mirë nga Silva e Milner. Nëntë minuta më vonë, përforcimi i ri Sergio Aguero pas një tjetër aksioni fantastik realizoi nga afërsia për 3-0.

United arriti të shënojë një herë nëpërmjet mesfushorit Darren Fletcher në minutën e 81-të por kjo iu kthye atyre si ‘bumerang’ pasi City realizoi edhe dy herë nëpërmjet zëvendësuesit Edin Dzeko dhe David Silvas në minutat e fundit për të kompletuar turpërimin e Djajve të Kuq dhe filluar festën e Citizens. Kjo është disfata më e thellë për Unitedin në shtëpi nga viti 1955.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›