E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man City kërkon Europa Leaguen

Tetë skuadrat e kualifikuara nga Grupet A, B, C dhe D të Ligës së Kampionëve tashmë dihen. Por, epilogu i xhiros së fundit të fazës së grupeve do të jetë i rëndësishëm për skuadrat si Manchester City, Ajax, Zenit St Petersburg dhe Anderlecht, që synojnë të vazhdojnë garat në Europa League. Kurse, PSG-Porto dhe Schalke 04 - Arsenal luftojnë për pozitat e para në grupet A, përkatësisht B.

Takimet e fundit të fazës së grupeve, ato A, B, C dhe D nuk do të jenë përcaktuese për ndonjë skuadër dhe shpresat e saj për kualifikim në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Kjo pasi tetë emrat e ekipeve që vazhdojnë tutje tashmë janë bërë të ditura.

Por, xhiroja e fundit do të jetë me rëndësi skuadra si Manchester City, Ajax Amsterdam, Anderlecht dhe Zenit, që ende kanë gjasa së paku të vazhdojnë garën evropiane, por në Europa League. Por, ende është e nxehtë gara në disa grupe sa i përket përfundimit në krye.

Në Grupin A, Porto e kualifikuar do të sigurojë pozitën e parë me fitore ose barazim te Paris Saint-Germain. PSG po ashtu ka kaluar tutje, por i nevojitet të fitojë ndaj Portos nëse dëshiron të përfundojë i pari. Dinamo Zagrebi u eliminua prej Dynamo Kiev. Në Grupin B, Schalke 04 dhe Arsenal kanë siguruar kualifikimin.

Por, skuadra gjermane do të jetë fituese e grupit nëse arrin të fitojë në Francë ndaj Montpellierit të eliminuar. Ose nëse Arsenali nuk fiton në Greqi kundër Olympiakosit, kjo për shkak të bilancit më të mirë në duelet e ndërsjella. Në Grupin C, gjithçka është e sqaruar sa u përket emrave të skuadrave që shkojnë tutje, por edhe renditjes përfundimtare në krye.

Malaga do të jetë e para dhe përcillet nga Milani. Kurse, në xhiron e fundit të dy këto skuadra janë vendës përballë Anderlechtit, përkatësisht Zenit St Petersburgut, që ende janë në garë për kualifikim në Europa League. Zenit është aktualisht i treti në bazë të golaverazhit më të mirë pasi të dyja kanë nga katër pikë. Nëse të dy takimet e këtij grupi përfundojnë në barazime, Zenit do të vazhdojë në Europa League.

Kurse, Anderlechti mund të sigurojë Europa Leaguen nëse merr më tepër pikë se Zeniti ose përfundon me golaverazh më të mirë se skuadra ruse. Në Grupin D, Manchester City është mysafir i Borussia Dortmundit ku do të synojë fitoren – e parë këtë edicion – që në rast se Real Madridi mposht Ajax Amsterdamin, do të siguronte kalimin e tyre në Europa League.

Dortmund dhe Real kanë siguruar kalimin tutje, ku kampioni i Bundesligës do të përfundojë i pari në bazë të bilancit më të mirë në duelet e ndërsjella me kampionin e La Ligës. Ajaxi do të vazhdojë garën në Europa League nëse fiton në Santiago Bernabeu ose nëse City nuk arrin fitore në Dortmund, për shkak të bilancit më të mirë në duel me skuadrën angleze.

Grupi A

Dinamo Z-Dynamo K 20:45

PSG-Porto 20:45

Grupi B

Montpellier-Schalke 20:45

Olympiakos-Arsenal 20:45

Grupi C

Milan-Zenit 20:45

Malaga -Anderlecht 20:45

Grupi D

B.Dortmund-Man City 20:45

Real M-Ajax 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›