Në mes Orebros dhe ofertave

Ilir Berisha është njëri prej futbollistëve të paktë kosovarë që e pati mundësinë të largohet nga futbolli i këtushëm për ta sprovuar veten jashtë. Dhe, ish mbrojtësi i Prishtinës ia doli me sukses, duke u bërë pjesë e rëndësishme e ekipit suedez Orebro.
Mbrojtësi prishtinas zhvilloi 22 ndeshje gjatë tetë muajve sa qëndroi në Suedi, edhe pse ekipi i tij aktual nuk ia doli ta sigurojë mbijetesën në Allsvenskan (elita e futbollit suedez). Ai e ka ndërmend të vazhdojë të luajë në këtë ekip, por në rast se në adresë të tij troket ndonjë ekip i njohur, ai së bashku me menaxherin do ta shqyrtojnë çdo mundësi.
“Unë kam kontratë edhe dy vjet me Orebron, por patjetër nëse më ofrohet ndonjë klub, mund t’i fillojmë bisedat dhe ofertat nuk do t’i anashkalojmë. Mua më mbetet të vazhdoj të punoj me ritëm të njëjtë. Kam arritur ta fitoj besimin e trajnerit dhe të tifozëve, kështu që këto nuk mund t’i hedhësh poshtë aq lehtë. Edhe nëse mbetem në Orebro, do të isha i kënaqur”, deklaroi Berisha për Express.
Për periudhën sa luajti në Suedi thotë se përfitoi shumë si lojtar dhe si person, duke u përmirësuar në shumë aspekte në krahasim me periudhën sa luajti në Kosovë. “Patjetër ndryshimet vërehen. Së pari më është dashur të inkuadrohem në sistemin e lojës dhe në Suedi është një seriozitet shumë më i madh në punë”, vijoi ai.
“Menaxhmenti dhe financat janë faktorë që ndikojnë në paraqitjet tona. Në Suedi luhet një futboll i fortë fizikisht dhe kampionati është i ngjeshur. Jam i kënaqur në këtë vend, nëse e shikojmë nga kam ardhur. E kam pasur fatin të paraqitem në këtë ekip, ku po ashtu kam shënuar tri gola”, vazhdoi Berisha i cili e preferon ligën gjermane – Bundesliga, nëse ndonjëherë i jepet mundësia të luajë diku jashtë Suedisë.