Man City planifikon verë të qetë
Kryetari i Manchester Cityt, Khaldoon al-Mubarak, është shprehur kundër pritjeve për përforcime të tjera të mëdha në Eastlands gjatë verës.
Me triumfin në FA Cup dhe sigurimin e kualifikimit të drejtpërdrejtë për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, nëse City fiton ndeshjen e xhiros së fundit në Premierligë në Bolton të dielën, emra të mëdhenj janë përmendur si objektiva të mundshme për afatin kalimtar të verës.
As Xavi e as Cristiano Ronaldo nuk pritet të transferohen në City para fillimit të sezonit të ri, por spekulimet rreth lëvizjeve të tilla nuk janë për t’u habitur, kur kihet parasysh fuqia financiare e klubit nga Eastlands. Mirëpo, në një intervistë për ueb faqen zyrtare të klubit, Khaldoon ka zvogëluar parashikimet.
“Nuk do të jetë si vera e kaluar ose ajo para saj. Ajo çfarë do të shihni këtë vit është përforcimi i ekipit në fusha, ku na nevojitet mbulesë më e madhe. Nuk na nevojitet kualiteti, pasi sot kemi kualitet. Na nevojiten edhe disa futbollistë”, tha ai.
Me investime të përgjithshme në mbi 1 miliard euro dhe 350 milionë të shpenzuara vetëm në përforcime, prej kur Sheikh Mansour bleu klubin nga Thaksin Shinawatra gati tri vjet më parë, është e qartë se City nuk është larg prej cakut ku dëshiron të jetë.
“E ndiej një mentalitet fitues, që është duke ardhur në ekip. Jam i lumtur për të gjithë të përfshirë në klub; ekipin, futbollistët, trajnerët dhe sigurisht tifozët”, theksoi Khaldoon.