E Diel, 1 Nëntor 2026

Maradona kritikon Batistan për Tevezin

Nga Express më 20 maj 2011 në ora 11:02

Diego Maradona ka thënë se pasardhësi i tij si selektor i Argjentinës, Sergio Batista, duhet të ketë qenë i “dehur” kur ka theksuar se sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez nuk është i nevojshëm për Copa America. Batista tha se Tevez nuk është i nevojshëm sepse ka në dispozicion futbollistë si Lionel Messi dhe Gonzalo Higuain, që luajnë në pozitë të njëjtë.

“Ju duhet të jeni të dehur për të mos e ftuar Tevezin”, tha Maradona për kanalin sportiv TyC.

“Mos më thoni se doni të provoni dikë tjetër, për çfarë prove e keni fjalën?”- shtoi ai. Maradona, i cili më herët gjatë javës arriti marrëveshje për të udhëhequr klubin nga Emiratet e Bashkuara Arave Al Wasl, tha se Messi është futbollistë i ndryshëm që nuk përshtatet në rolin e qendërsulmuesit.

“Të gjithë e kanë stilin e tyre të lojës, por nuk preferoj Messin si numër 9”, theksoi Maradona. Ndërsa edhe Tevez tha se ishte i habitur me arsyet për mospërfshirjen e tij të mundshme. “Vdes të luaj për ekipin kombëtar. Duket se ekziston një problem shtesë, të cilin unë nuk e di. Nëse ka lidhje me futboll, është dashur të më njoftojnë. Duket sikur ata njerëz janë kundër meje”, tha Tevez për radiostacionin La Red. Argjentina është nikoqire e Copa Amerika në korrik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›