Man. UTD i “zhytur"në borxhe, Real e Barça kërkojnë Runin
Financa
Mançester Junajtid është zhytur në një krizë të rëndë financiare dhe shumë shpejt “Red Devils” mund të jenë të detyruar të shesin yjet e skuadrës. Sipas tabloidit “The Sun”, klubi i Malkom Gllejzër ka mbi 700 milionë sterlina (mbi 840 milionë euro) dhe tashmë drejtuesit e klubit po kërkojnë të mbushin arkat. Mbi 500 milionë sterlina janë marrë në formë huaje nga bankat, ndërsa 200 të tjera janë paguar nga pronari amerikan për të blerë ekipin anglez. Situata është komplikuar nga blerjet, që më pas kanë rezultuar si jo të goditura: si 38 milionë eurot e shpenzuara për Berbatov dhe 20 milionë eurot për portugezin Nani. Kriza financiare e Junajtid ka bërë që Reali i Madridit dhe Barcelona të fillojnë garën për blerjen e Uejn Runit. Dy gjigantët spanjollë janë të gatshëm të paguajnë deri në 84 milionë euro (70 milionë sterlina) për sulmuesin e përfaqësueses angleze. Sipas mediave britanike, shitja e 24-vjeçarit mund të jetë e vetmja zgjidhje (e vështirë për t’u pranuar) për Sër Aleks Ferguson.
#