E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinho ëndërron rikthimin në Seleçao

Nga Express më 07 gusht 2011 në ora 11:48

Ish fituesi i Topit të Artë, Ronaldinho shpreson që me paraqitjet e tij të mira në Flamengo do të ringjallë karrierën e tij me pesë herë kampionin e botës, Brazilin.

“Objektivi im është të luaj mirë me Flamengon dhe nëse trajneri ka nevojë për mua, do të jem gati”, tha Ronaldinho i cili u rikthye në vendlindje në janar 2011, pas dy vite e gjysmë me gjigantin italian Milan.

Pas mungesës në Kampionatin botëror 2010 në Afrikën e Jugut, ku selektori i atëhershëm Dunga e la jashtë ekipit prej 23 futbollistëve, Ronaldinho beson se ai ende mund t’i kontribuojë në skuadrën e Mano Menezes për Botërorin 2013, ku Brazili është nikoqir.

Menezes, i cili zëvendësoi Dungan pas garës së vitit 2010, ftoi Ronaldinhon për një miqësore kundër Argjentinës në Doha në nëntor të kaluar, por prej atëherë ai nuk ka qenë anëtar i Saleçaos në disa miqësore dhe Copa America muajin e kaluar. Por, pas het-trikut për Flamengon në fitoren 5-4 ndaj rivalit Santos muajin e kaluar, 31 vjeçari Ronaldinho shpreson që Menezes të merr shënime.

“Është diçka që kam ëndërruar (rikthimi në Kombëtaren braziliane). Fizikisht jam në top-formë. Prej tani deri te Kampionati botëror mund të ndodhë shumëçka, por besoj se mund të jap kontribut pozitiv në ekipin kombëtar”, përfundoi ai. Ndeshja e ardhshme e Brazilit është një miqësore kundër Gjermanisë në Stuttgart më 10 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›