E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd nuk dorëzohet

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ende mban shpresë rreth titullit të katërt të njëpasnjëshëm në Premierligë, pasi ekipi i tij siguroi se kampioni do të vendoset në xhiron e fundit këtë fundjavë.

Djajtë e Kuq fituan 1-0 në Sunderland të dielën falë golit nga Nani, pasi kryesuesi Chelsea kishte mposhtur Liverpoolin 2-0 në Anfield Road një ditë më herët.

Ekipi i Fergusonit takohet me Stoke në xhiron e fundit, ndërsa ka një pikë më pak se Chelsea, që duhet të ndalet në shtëpi nga Wigan, përndryshe do të ndërpresë dominimin e Djajve të Kuq. Por, edhe pse fati nuk është në duart e tyre, Ferguson nuk ka shuar shpresat.

“Krejt çka mund të bëjmë është të fitojmë ndeshjen e ardhshme. Sigurisht se nuk mund të them se Chelsea do të fitojë kundër Wiganit. Ata janë ekip i mirë, andaj kurrë nuk i dihet. Futbolli është sport i çuditshëm. Është me rëndësi për ne të fitojmë para tifozëve tanë dhe të luajmë në mënyrën më të mirë. Do të ishte arritje e jashtëzakonshme për ne. Mirë që kemi arritur deri këtu dhe kemi ruajtur nervat deri në fund”, tha Ferguson për Sky Sports 1.

Ferguson ishte paksa i dëshpëruar me paraqitjen e ekipit të tij kundër Sunderlandit, më së tepërmi me rastet e humbura nga sulmuesi bullgar Dimitar Berbatov, që i pamundësuan atyre të fitojnë me diferencë më të madhe.

“1-0 nuk është rezultat i shëndoshë në ndeshje si mysafir. Mendoj se ishte për shkak të mungesës së efikasitetit. Ashtu dukej. Kishim disa raste të mira, por arritëm të marrim tri pikë dhe kjo ishte më e rëndësishme”, shtoi ai.

Megjithatë, Chelsea mbetet favorit për të fituar titullin e parë në Premierligë nga viti 2006, që do t’i pamundësojë triumfin e katërt të njëpasnjëshëm Manchester United dhe rekordin prej 19 titujve, duke tejkaluar Liverpoolin (18).

Ferguson nuk fshehu dëshpërimin e tij rreth mënyrës se si Chelsea shënoi golin e parë në Anfield të dielën. Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard ktheu topin prapa në mënyrë të gabuar te Didier Drogba, i cili kaloi londinezët në epërsi. “E kam parë pas ndeshjes. Ishte dhuratë e mirë. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet ta kalojmë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›