E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd varet tani nga Rooney

LONDER-Arjen Robben ka përshkruar Manchester Unitedin si ekip të një futbollisti që varet kryesisht nga shkëlqimi i sulmuesit Wayne Rooney. Mesfushori i Bayern Munichut pritet të përballet me kampionin e Anglisë të martën, për herë të parë prej largimit nga Premierliga tri vjet më parë.

Djajtë e Kuq janë shfaqur si fuqi në Ligën e Kampionëve qe kur holandezi kaloi nga Chelsea në Real Madrid më 2007, por ai tani beson se ata janë bërë të varur nga Rooney pas largimit të Cristiano Ronaldos në verën e vitit të kaluar. Ylli anglez ka shënuar 33 gola në të gjitha garat këtë sezon dhe Robben është i sigurt se çelësi i fitores ndaj Manchester Unitedit është ndalja e Rooneyt.

“Manchester United nuk është i paprekshëm. Nëse mediat duan t’i shohin si favoritë, atëherë kjo na përshtatet neve, sepse i gjithë presioni do të jetë mbi ta. I kam përcjellë në televizion disa herë në kohën e fundit dhe mendoj se nuk janë të fuqishëm sikur në dy vitet e kaluara. Rooney ka qenë fenomenal këtë sezon”, tha Robben për revistën angleze, NeWs of the World.

“Por, për momentin duket se ai është zgjidhja e vetme e tyre: çka nëse ai nuk funksionon? Ai është bërë ylli i ekipit pas shitjes së Ronaldos, verën e kaluar, por ne jemi të gatshëm ta ndalim. Ata janë pothuajse ekip i një futbollisti, andaj mbrojtësit tanë do t’i japin 180 minuta të shqetësimit të pandërprerë”, përfundoi ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›