E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Spanja dhe bojkoti diplomatik

Presidenti i Këshillit Europian të BE-së, Herman Van Rompuy, do t’i kishte kursyer vetes turneun e lodhshëm të ardhshëm, që shpalli se do të ndërmarrë në tetë vende të Ballkanit, nëse do të kishte marrë pjesë në samitin ballkanik të organizuar nga Sllovenia dhe Kroacia, më 20 mars, dhe ku i kishte të pranishëm shtatë kryeministra të rajonit. Por, presidenti i Këshillit Europian u bashkua me bojkotin që Serbia i shpalli samitit ballkanik dhe nuk shkoi në një samit rajonal, të cilin e organizonin një shtet anëtar i BE-së dhe një shtet që është më afër hyrjes në BE se çdo shtet tjetër ballkaniko-perëndimor. Me bojkotin diplomatik të Serbisë ndaj samitit ballkanik u bashkua edhe Spanja, ministri i Jashtëm i së cilës në fillim kishte konfirmuar pjesëmarrjen në samitin ballkanik. Në qarqet diplomatike të samitit u fol hapur për dyshimet se Spanja ka inkurajuar Serbinë të mos marrë pjesë, dhe siç shkruante analisti i mirënjohur Patrik Mur, "presidentit Tadiç i është dhënë arsyetim nga Spanja për të mos shkuar në Bërdo".
Këto zhvillime në marrëdhëniet diplomatike BE-Ballkan Perëndimor hedhin dritë mbi paqartësitë dhe lëkundjet që karakterizojnë politikën ballkanike të BE-së. Sepse, askush në Ballkan nuk mund të kuptojë dhe të pranojë që BE-ja të bashkohet me një bojkot diplomatik të një shteti të veçantë kundër takimeve dhe veprimtarive rajonale të të gjitha shteteve të Ballkanit.
është e drejta e Serbisë të marrë pjesë ose jo në një takim të nivelit të lartë ballkanik. Por, asnjë normë e kodeks ndërkombëtar nuk i jep asaj të drejtë të vendosë kushtin që për pjesëmarrjen e saj duhet të përjashtohet një shtet tjetër ballkanik, si Kosova. Dhe, aq më pak bëhet e pranueshme, nëse përfaqësues të BE-së zgjedhin të bashkohen me bojkotin e çuditshëm diplomatik të Serbisë. Kosovën e kanë njohur 22 shtete të BE-së dhe nuk mundet që përfaqësues të saj, si presidenti i Këshillit Europian apo presidenca spanjolle, ta neglizhojnë këtë realitet dominues brenda organizatës. Gazeta e madhe sllovene "Dello" shkruante lidhur me këtë se, "Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, ka treguar diletantizëm të plotë dhe mosnjohje të Ballkanit. Me mosardhjen e tij, Rompuy pa vetëdije ka përkrahur Serbinë në bojkotin e saj për Kosovën".
Metoda e bojkotit diplomatik shkon kundër të gjitha atyre parimeve, standardeve dhe kritereve që BE-ja i parashtron shteteve të rajonit që aspirojnë të hyjnë në të. Kështu që çdo formë inkurajimi e bojkotit, jo vetëm demonstron shkelje të këtyre standardeve, por edhe evidenton një politikë ballkanike selektive, e cila ka efekte negative në klimën ballkanike. Këtu nuk shtrohet vetëm çështja e njohjes apo e mosnjohjes së problematikës dhe ndërlikimeve ballkanike, gjë që mund të pranohet kur vjen fjala për disa përfaqësues të ndryshëm europianë, por edhe çështja e aftësisë europiane për të ndihmuar Ballkanin të çlirohet nga skema, mentalitete dhe dogma të një të kaluare të pandritshme.
Serbia ka shpallur bojkotin diplomatik si një taktikë për të bllokuar shtetin e Kosovës dhe për të detyruar shtetet e tjera të bashkohen me këtë bojkot. Por, është një zhvillim i rëndësishëm rajonal, që Ballkani më në fund po i thotë "jo" bojkotit diplomatik.
Kapërcimin e mentalitetit arkaik të bojkotit diplomatik e demonstroi së pari presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviç, i cili në inaugurimin e postit të tij të lartë si president i ri i Kroacisë, më 18 shkurt 2010, ftoi homologët e të gjitha shteteve të rajonit. Presidenti i Serbisë vuri kushtin që nga festa presidenciale kroate të përjashtohej presidenti i shtetit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Por Kroacia, si një shtet normal sovran, nuk mund të pranonte që një shtet tjetër t'i diktojë cilin të ftojë e cilin jo. Në Zagreb shkuan të gjithë kryetarët e shteteve të tjera, përfshirë Kosovën, ndërsa presidenti i Serbisë ndoqi bojkotin diplomatik.
Edhe në samitin ballkanik të Bërdos, më 20 mars, organizatorët, Sllovenia dhe Kroacia, ftuan të gjithë udhëheqësit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, dhe përsëri presidenti i Serbisë vuri kushtin bojkotues që të mos ftohej presidenti i shtetit të Kosovës. Por, mentaliteti europian mbizotëroi, dhe në Bërdo ishin të gjithë, përfshirë Kosovën, me përjashtim të presidentit të Serbisë
Ballkani jep kështu një shembull të madh të evoluimit pozitiv në një sjellje diplomatike, europiane dhe civilizuese. Jep shembullin për të treguar se bashkëpunimi rajonal ka nevojën e pjesëmarrjes së të gjithëve dhe të përjashtimit të asnjërit. Jep shembullin se bojkoti diplomatik ndaj një shteti fqinj është një sjellje e kapërcyer dhe që mund të ketë pasoja për vetë shtetin që e ndërmerr bojkotin.
Mesazhi i Bërdos është i rëndësishëm për Serbinë, për t'i treguar asaj se ka ardhur koha e ndryshimit të kursit në Beograd ndaj Kosovës dhe se pranimi i realiteteve të reja politike në Ballkan është një premisë e avancimit të vetë Ballkanit drejt familjes europiane. Me të drejtë kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, deklaroi se, "të gjithë duhet të njohin të gjithë dhe njohja reciproke është çështje e hapur themelore, që bllokon procesin e integrimit europian këtu".
Me bojkotin diplomatik ndaj pjesëmarrjes së Kosovës, as Serbia nuk duket se fiton gjë, përkundrazi, i kthehet izolimit diplomatik në rajon. Siç pohonte në një komunikatë të saj Partia Liberal Demokrate e Serbisë, që drejtohet nga ish/zëvendëskryeministri Cedomir Jovanoviç, mospjesëmarrja e Serbisë në samitin në Bërdo është shumë e dëmshme.
Serbia krijoi gjithashtu një çarje diplomatike me dy shtetet organizatore, Slloveninë dhe Kroacinë, dhe kjo është nga ato ngjarje që regjistrohet në memoriet shtetërore.
Me kundërshtimin e tyre kolektiv ndaj bojkotit diplomatik, shtetet e Ballkanit i dëshmojnë BE-së një shkallë më të lartë pjekurie diplomatike dhe plotësimi të standardeve europiane. Ato dëshmojnë se interesat e bashkëpunimit rajonal duhet të prevalojnë mbi interesat e ngushta elektorale apo politike të brendshme. Ishte vërtet pozitive që kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, e cila nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, Nikola Spiriç, i cili është serb, mori pjesë në samit, duke demonstruar një fleksibilitet diplomatik më të lartë se Beogradi.
Precedenti i Bërdos ka rëndësi të madhe për marrëdhëniet ndërkombëtare në rajon, si dhe për qëndrimin e BE-së ndaj rajonit. Ai ofron një model se si duhet refuzuar bojkoti diplomatik i një shteti ndaj veprimtarive të përbashkëta të shteteve të rajonit. Ky model është tepër aktual në momentin e tanishëm, kur presidenca spanjolle po përgatit mbajtjen e një samiti të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për t'u zhvilluar në fund të muajit maj në Sarajevë. është për të ardhur keq që presidenca spanjolle, qysh tani po paragjykon marrëdhëniet ndërballkanike dhe po adopton formulën serbe të pjesëmarrjes me kusht në samitet ballkanike. Ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos, deklaroi më 23 mars se, Spanja do ta organizojë samitin "në vlerësim të ligjit ndërkombëtar dhe të të gjitha çështjeve sensitive". Ndërkohë, agjencia serbe "Tanjug" e sqaroi këtë "sensivitet spanjoll", duke njoftuar se Spanja ka dhënë sigurime zyrtarisht se Kosova mund të marrë pjesë vetëm si UNMIK-Kosova.
Paragjykimi spanjoll buron nga qëndrimi i Spanjës, e cila nuk e ka njohur Kosovën, buron edhe nga qëndrimi i ministrit të saj të Jashtëm, i cili si ish-diplomat në Beograd, e rreshton publikisht veten ndër lobistët e Serbisë. Sigurisht, Spanja ka të drejtën e saj të formulimit të qëndrimit ndaj Kosovës, por nuk duket se ka të drejtë të shfrytëzojë presidencën e BE-së për të "europianizuar" një qëndrim të veçantë spanjoll. Sepse, kjo inkurajon bojkotin diplomatik dhe bllokon marrëdhëniet ndërballkanike.
Si rezultat i këtyre interferencave, BE vazhdon të manifestojë një mungesë kohezioni, duke u lëkundur dhe duke ndjekur politika ballkanike, që diktohen nga interesa të vogla rajonale të shteteve, të cilat marrin presidencën çdo gjashtë muaj. Kjo nuk e ndihmon Ballkanin, dhe as integrimin e tij në BE. Dhe, do të jetë për të ardhur keq nëse modeli "Bërdo" nuk do të ndiqet në Sarajevë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›