E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manaj: LDK e fortë, pas reformimit të strukturave

Prishtinë -Lidhja Demokratike e Kosovës u ka shprehur mirënjohje dhe falënderim gjithë atyre vendeve të komunitetit ndërkombëtar që mbështeten anëtarësimin e Republikës së Kosovës në FMN. Në një konferencë për media, të mbajtur të premten, Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i LDK-së ka vlerësuar se përveç rëndësisë së jashtëzakonshme ekonomiko-financiare, me këtë anëtarësim Kosova forcon dhe konsolidon subjektivitetin ndërkombëtar si shtet Sovran.

Manaj, njëkohësisht zv/kryeministër i Kosovës, ka bërë të ditur se pritet së shpejti edhe anëtarësimin në Bankën Botërore, pasi që aplikacioni ynë të shqyrtohet dhe vendoset në procedimet përkatëse.

Ai po ashtu ka thënë se LDK inkurajon kthimin në pronat dhe shtëpitë e tyre për të gjithë qytetarët, shtetas të Republikës së Kosovës pa dallim përkatësie etnike – ndërsa ka shtuar se, Kosova nuk duhet dhe nuk mund të përjashtohet nga plani për liberalizimin e vizave.

Sa i përket lëvizjeve në skenën politike të vendit, sekretari i LDK-së, Manaj ka theksuar se kjo parti po riorganizohet, po reformohet, po konsolidohet. “Që tani e sigurojmë elektoratin e LDK-së në këtë proces do të dalim më të fortë se ky proces do të përfundojë me sukses të plotë, dhe natyrisht do të rezultojë me një program të renovuar, organizim më veprues, përcaktim i objektivave për zhvillim të hovshëm të Kosovës, reformim cilësor, dhe efikas i partisë”.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që tani për dalje më masovike në zgjedhjet e ardhshme lokale, si drejtë dhe obligim qytetar dhe kontribut i fuqizimit të LDK-së në pushtetin lokal. /telegrafi/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›