Manastiri i Voskopojës në dorë të restauratorëve
Disa prej kishave të cilat janë monumente kulture në qytetin e Korçës, do t’i nënshtrohen një procesi restaurimi. Ky proces do të jetë i pjesshëm, kryesisht në riparime të jashtme të objekteve të dëmtuara nga faktorët atmosferikë gjatë vitit të kaluar. Sipas drejtorit të monumenteve të kulturës në Korçë, Artan Buzo, do të restaurohen disa kisha këtë vit, të cilat kërkojnë ndërhyrje, si në çati, kambanare, por edhe në muret rrethues. “Një nga kishat e parashikuara për restaurim është ajo e Mborjes. Do bëhet çatia komplet e re dhe muri anësor. Manastiri i Voskopojës, Manastiri i Vithkuqit, gjithashtu do të punojmë edhe në kishën e Lubonjës, në atë të Tullasit, në kishën e Shën Kollit dhe të Shën Mërisë në Voskopojë”, - tha drejtori i monumenteve të kulturës në Korçë. Në listën e drejtorisë së monumenteve të kulturës në qytetin juglindor janë përfshirë kishat shekullore që datojnë në shekujt 17-18-të, por edhe manastiri i Voskopojës edhe ai i Vithkuqit. Fondi për këtë proces restaurimi kap shifrën e 30 milionë lekëve dhe punimet priten të nisin në muajin mars.