E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas 37 vitesh delnë dritë "Përjetësia"e Anagnostit

TIRANE- Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit shfaqi sot, për herë të parë pas 37 vitesh, dokumentarin poetik “Përjetësi” të Dhimitër Anagnostit, realizuar në vitin 1974, i cili edhe pse i kushtohet dëshmorëve të luftës, nuk u shfaq asnjëherë gjatë periudhës së komunizmit, pasi u quajt "modern".

Mbas shfaqjes së dokumentarit Anagnosti u shpreh se “Përjetësi” është një homazh dhe hymn për të rënët".

Regjisori e ka konceptuar pa fjalë, por vetëm me muzikë e zhurmën e rrahjes së zemrës në sfond. Një prind që shkon me fëmijën në varreza tek i gjyshi dëshmor dhe plane të shpejta ndërrohen sipas rrahjes së zemrës.

Regjisori Anagnosti thotë se as sot, nuk gjen arsye se përse dokumentari u ndalua në 74-rën.
“Lloji i kinematografisë ishte tepër modern për atë kohë, që nga montazhi. Dhe u duk modern pasi ishte pa fjalë, ndaj dhe e lanë në heshtje”, tha Anagnosti.
Pas dokumentarit, AQSHF shfaqi filmin artistik të Anagnostit të nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare “Lulëkuqet mbi mure”, ku luajnë aktorët Timo Flloko, Agim Qirjaqi, Kadri Roshi, etj.
Bashkëpuntorë të Anagnostit në film, por edhe miq shprehën vleresimet për filmin duke e quajtur autorin, "poet e deri filozof të filmit shqiptar".
Dhimitër Anagnosti duke konsideruar se ditë të tilla janë të rralla dhe e bëjnë të lumtur krijuesin, tha se "filmi është art kolektiv dhe se nuk ka trim pa shokë. Nëse nuk do ishin të gjithë aktorët bashkëpuntorët nuk do të bëhej filmi, falenderimi është i sinqertë mbase nuk e shpreh dot me fjalë, por brënda vetes sime ju jam mirënjohës”.

I pranishëm në sallë ishte edhe Strazimir Zajmi, emri i të cilit nuk të thotë diçka, por nëse thua Jaçja, kupton se fjala është për protagonistin e filmit “Lulëkuqe mbi mure”.

Kjo është java e dytë e “Muajit të Anagnostit”, organizuar nga AQSHF në kuadër të 75-vjetorit të tij të lindjes. Javën tjetër do të shfaqen “Duel i heshtur”, “Përrallë nga e kaluara” si dhe xhirime arkivale nga momentet e punës së Anagnostit në sheshet e xhirimit.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›