E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marubi “dhuratë” për 100-vjetorin e Malit të Zi

SHKRUAN: Aida Tuci 22-01-2011 10:33

Fototeka Kombëtare “Marubi” u krijua më 1970, pas dhurimit që i bëri Gege Marubi arkivit të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit shqiptar. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30x40 dhe deri te 6x9 në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky, është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit. Në të mund të gjesh negativë me tema të ndryshme dhe figura po kaq të shumëllojshme, si pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë, figura nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore dhe figura shqiptarësh të rëndësishëm, si Luigj Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Azem e Shote Galica e shumë e shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtarë. Së fundi, kjo fonotekë do t’i “dhurojë” Malit të Zi një pjesë të fondit malazez, që sipas kësaj fonoteke janë në 300 negativë. Në fakt ky projekt do të realizohet sipas një marrëveshje të nënshkruar mes Institutit të Historisë së Malit të Zi dhe Fonotekës “Marubi”, me titull “Mali i Zi në fotografinë e Ateliesë së Marubit. Ky projekt do të realizohet me rastin e 100-vjetorit të Mbretërisë së Mali të Zi. Arkivi “Marubi” ka aktualisht një fond shumë të pasur nga vende të ndryshme. Në arkivin e fonotekës “Marubi” numërohet rreth 3000 negativë që i përkasin fondit italian, 1500 negativë nga fondi austriak, 2000 nga fondi turk, 1000 nga fondi francez, 500 i përkasin fondit anglez, 300 fondit anglez dhe po aq janë të fondit malazez. Ishte vitit 1855, kur në Shkodër u hap atelieja e parë fotografike në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin, me emrin “Studio Marubi”. Italo-shqiptari Pietro Marubi filloi të fotografonte në fillim me procesin e kolodiumit të lëngët, si në të gjithë Europën, kryesisht njerëz të njohur, por edhe të panjohur të qytetit. Ndër fotografitë e kësaj periudhe është dhe ajo e kaçakut të njohur të krahinës, Hamz Kazazi (1858), me të cilën zë fill fotografia shqiptare. Tri vjet më pas (1861), realizon peizazhin e parë fotografik që paraqet Shkodrën. Dalëngadalë, Pietro Marubi nisi të përthithte mendësinë e shqiptarëve dhe në saje të mikpritjes së veçantë të shkodranëve ndaj tij. Kështu, pasi mësoi edhe shqipen, shkodranët ia shqiptarizuan emrin në Pjetër. Duke qenë nga pak edhe piktor e skulptor, ai kryen pikturat murale të Kishës Ortodokse të qytetit e po ashtu shpesh i merrej mendimi nga qytetarë të ndryshëm për aftësitë e fëmijëve të tyre në artet pamore. Një nga këta ishte dhe Arsen Idromeno, që me këshillën e mjeshtrit Marubi e dërgoi djalin e tij Kol të studionte pikturë në Venecie të Italisë. Ndoshta piktori i njohur Kol Idromeno është një dhuratë e madhe e Pjetër Marubit për kulturën tonë. Ndërkohë, mjeshtri fillon të dalë nga atelieja e të fotografojë në natyrë subjekte shoqërore, por edhe historike. Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla, si shumë e njohura “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875), me forcë të madhe shprehëse; si dhe “Portret gruaje”(1878) e “Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha është dhe fotoja e Pjetër Marubit që paraqet delegatët e Vilajetit të Shkodrës në Lidhjen Prizrenit (1878), si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohura evropiane, si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustraed London News”, duke u bërë kësisoj fotoreporteri i parë në histori i fotografisë shqiptare. Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve për liri janë pothuaj vërsnike me ato që mbahen më të parat fotografi botërore të luftës, si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se ai ka realizuar fotografitë e para në Malin e Zi (1865). Rreth vitit 1885 Pjetër Marubi merr si “djalë dyqani” pesëmbëdhjetëvjeçarin, Mikel Kodheli, i cili krahas punëve të përditshme, nisi të mësonte edhe të fshehtat e procesit të fotografimit. Kështu, Kel Kodheli, më pas me mbiemrin Marubi, pas shuarjes së Marubit-plak, e çoi më tej veprimtarinë fotografike të “Studio Marubi-Shkodër”, si në pikëpamje teknike, ashtu edhe artistike, të filluar nga Pjetër Marubi, i cili gjithsesi e ka monumentalizuar emrin e tij si babai i fotografisë shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›