E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët e vjetër, provime me zgjedhje për në universitet

Maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit shkollor 2010-2011, megjithëse janë pajisur me Dëftesë Pjekurie, për të konkurruar për në universitet duhet t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje. Ky rregull është përcaktuar në rregulloren e re të Maturës 2011, sipas së cilës të gjithë personat që kanë kryer shkollat e mesme para këtij viti shkollor (2010-2011), kanë marrë Dëftesë Pjekurie dhe dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, do të japin dy provimet me zgjedhje. Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet: në shkollat ku këta persona kanë kryer shkollën e mesme ose në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH) të Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe Zyrës Arsimore (DAR/ZA), nëse shkolla e mesme apo profili i shkollës së mesme që kanë kryer është mbyllur. Në këtë rast, këta persona paraqesin në këtë KMSH dokumentet e mëposhtme: kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë ose vërtetimin që ka përfunduar shkollën e mesme, me fotografi, shoqëruar me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse, bazuar në regjistrin e amzës, firmosur dhe vulosur nga titullari i DAR/ZA-së ku kandidati ka mbaruar shkollën e mesme ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit; një kopje të noterizuar të pasaportës ose kartës së identitetit; kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje. KMSH i DAR/ZA-së përcakton shkollën e mesme ku këta persona do të plotësojnë formularët përkatës dhe do të japin provimet me zgjedhje. KMSH-ja e DAR/ZA-së për këta persona, në bazë të dokumenteve të paraqitura, përcakton notën mesatare të viteve të shkollimit si edhe notat e provimeve të detyruara D1 e D2 dhe ia përcjell ato zyrtarisht shkollës ku këta maturantë/kandidatë do të japin provimet. Ndërsa për nxënësit e shkollave profesionale dhe social-kulturore që i janë nënshtruar Maturës Shtetërore 2006 e në vijim nuk japin provimet e detyruara kur kanë marrë Dëftesë Pjekurie. Nxënësit e këtyre shkollave që kanë marrë Dëftesë Pjekurie para 2006-s, do të japin provimet sipas listës së lëndëve të detyruara e me zgjedhje të pasqyruara në formularin A1.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›