E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kutitë e mbyllura? Rama: Bojkot e protesta pa pushim

TIRANE- Pas vendimit të socialistëve për të përshkallëzuar aksionin politik në kërkim të hapjes së kutive të votimit, kreu i selisë rozë Edi Rama deklaron se duke filluar nga java e ardhshme do të rifillojnë protestat shesh më shesh e rrugë më rrugë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve.

“Ne do të shkojmë javën që vjen qytet më qytet. Sali Berishën e gënjen mendja se do të na zbrapsë duke na gjuajtur me gurët e shpifjes e sharjet, por në fakt ai po na frymëzon për të cuar deri ne fund aksionin politik deri në largimin e tij nëse kutitë nuk do të hapen” theksoi Rama gjatë një konference për shtyp pasditen e sotme.
Ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Berisha të provojë përpara gjykatës cdo deklaratë e shpifje në drejtim të tij, Rama tha se ka depozituar plot 10 padi penale ndaj kreut të qeverisë, për ato që ai i quajti shpifje të denja për një sulm mesjetar.

“I bëj thirrje njeriut që ndot me papastërti foltoren e parlamentit, të provojë përpara gjykatës qoftë dhe njërën nga shpifjet e tij. I bëj thirrje Prokurores së Përgjithshme të hapë hetimin e të gjitha akuzave të kryeministrit ndaj meje, të kërkojë nga Berisha prova lidhur me 10 paditë penale që kam depozituar ndaj tij këto ditë” nënvizoi Rama.

Kreu i socialistëve ritheksoi se opozita mbetet e vendosur të mos heqë dorë nga rruga e bojkotit ndërsa nënvizoi se fundi i këtij vendimi mbetet në dorën e kryeministrit Berisha.
“Fundin e bojkotit nuk e kemi ne në dorë, por Berisha që duhet të pranojë hapjen e kutive për të rikthyer opozitën në parlament” tha Rama ndërsa i bëri apel drejtuesve të policisë të mos bëhen mish për togat e shtetit.

“Policia e Shtetit nuk duhet të jetë jashtë binarëve të ligjit, jo më të nxirret rrugëve për të larë hesapet me kundërshtarët e Berishës” u shpreh Rama.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›