Mançester Siti ecën si një tren, fitojnë edhe Çelsi me Arsenalin
Skuadra e Mançinit blindon vendin e parë në renditje me 38 pikë pas “manita”-s që i bëri Noruiçit
Mançester Siti nuk ka ndërmend t’i kënaqë ndjekësit e tij. Në ndeshjen e fundit kundër Noruiçit, skuadra e Mançinit ka shpartalluar kundërshtarët me shifrat 5-1, duke parë që të shënojë të paktën gjysma e skuadrës. E kanë nisur mirë “citizens”, kur kanë shënuar në minutën e 32-të pas asistit të Mikah Riçards. Në pjesën e dytë, kanë shënuar njëri pas tjetrit edhe Samir Nasri (51’) dhe Jaja Ture (68’), përpara se Noruiç të shënojë golin e flamurit me anë të Morrison (81’). Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me këtë rezultat, në skenë kanë hyrë edhe Mario Baloteli me Adam Xhon sonin, që në 120 sekonda kanë realizuar edhe dy golat e fundit të takimit. Siti ngjitet kështu në kuotën e 38-të pikëve, duke u rehatuar gjithnjë e më shumë në majën e klasifikimit. Nga ana tjetër, Noruiç qëndron në mes të klasifikimit me 16 pikë.
Arsenali gjithashtu po kalon një moment shumë të mirë falë formës së mrekullueshme që po kalon sulmuesi holandez Robin Van Persi, autor i dy asisteve dhe golit të fundit të ndeshjes në transfertën e Uiganit, e cila përfundoi 0-4 në favor të “topçinjve”. Arsenali rikuperon terren në favor të kundërshtarëve për një vend në Champions duke u ngjitur në kuotën e 26-të pikëve, që përkthehet me vendin e pestë. Çelsi ka arritur një fitore bindëse në “St James Park” përballë Njukastëllit. Drogba, Kalu dhe Starrixh ishin autorët e tre golave, që i dhuruan fitoren ekipit të Andre Vilash Boash. Minutat e golave ishin 38’, 89’ dhe 90’, por në minutën e 14-të të ndeshjes Frank Lampard gaboi nga pika e penalltisë. Ndeshja ishte e tejmbushur me rate të shumta, por edhe me gabime të pafalshme para portës. Me këtë fitore, Çelsi ngjitet në vend të 4-ët me 28 pikë, ndërsa Njukastëll mbetet në kuotën e 26 pikëve në vend të 5-të.
Premier Liga – Java XIV
Dje
Njukastëll – Çelsi 0-3
Totenham – Bolton 3-0
QPR – Uest Bromuiç 1-1
Uigan – Arsenal 0-4
Mançester Siti – Noruiç 5-1
Blekbërn – Suonsi 4-2
Aston Vila – Man Junajtid X-X
Sot
Everton – Stoke Siti 16:00
Ulverhampton – Sandërlend 17:00
Nesër
Fulham – Liverpul 21:00