Maradona: Pele ka harruar të pijë ilaçet
Diego Armando Maradona ka sulmuar sërish me disa deklarata të forta ish-futbollistin Pele pasi ky i fundit dha mendimin e tij në lidhje me Nejmarit dhe Mesit. “O Rei” tha para disa ditësh se Neymar ishte më i mirë se argjentinasi i Barcelonës, gjë që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit aktual të Al-Vasl. “Pele ka ngatërruar ilaçet. Në vend që të pinte ilaçin e gjumit ka pirë atë të mëngjesit. Ka qenë i trullosur dhe nuk dinte çfarë thonte. I sugjeroj që herën tjetër të pijë ilaçet e duhura para se të flasë. Gjithashtu i sugjeroj që të ndërrojë edhe mjekun”, deklaroi Maradona për mediat argjentinase. Pele kishte thënë para disa ditësh: “Nejmar është më i kompletuar se Mesi. Godet mirë me të dyja këmbët, mund të driblojë në çdo drejtim dhe shënon gola. Mesi është shumë i mirë, por është në varësi të skuadrës ku luan. Luan mirë me Barcelonën, ndërsa me Argjentinën ka vështirësi. Nejmar luan mirë si me Brazilin ashtu edhe me Santosin.”