E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Siti, ofertë 70 milionë euro për Xhon Terri

Mançester Siti është gati të ofrojë diçka më shumë se 70 milionë euro (60 milionë sterlina) për Xhon Terrin. Mbrojtësi është objektivi kryesor i pronarëve arabë të klubit anglez në merkato dhe me këtë shifër të jashtëzakonshme, ata kërkojnë të testojnë Çelsin. Në fakt, Siti kërkon të blejë kapitenin e përfaqësueses angleze që prej merkatos së janarit, por ka më shumë gjasa që marrëveshja të arrihet në fund të sezonit. Terri shihet si lojtari rreth të cilit do të ndërtohet skuadra që pretendon të fitojë titullin në Premiership dhe të luajë në Ligën e Kampioneve. Sheikët besojnë se çdo futbollist e ka një çmim dhe për Terrin është përgatitur një kontratë me rrogë 200 mijë sterlina në javë (duke e bërë lojtarin më të paguar në botë). Edhe pse njihet ndryshe si "Z. Çelsi", duket e pamundur që mbrojtësi të refuzojë 10 milionë sterlina rrogë në vit (afro 12 milionë euro). Në Angli vazhdojnë të flasin për interesimin e Sitit edhe rreth portierit më të mirë në botë, Xhanluixhi Bufon.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›