E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masllavica kërkon presidencën për të ndryshuar peshëngritjen

Zgjedhjet në KOKSH kanë prishur qetësinë edhe në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Dorëheqja e presidentit aktual, Esat Ademi, detyron këtë federatë të shkojë në zgjedhje të parakohshme më datën 26 nëntor. Dhe tashmë në skenë janë shfaqur disa emra, ku i vetmi deri tani, që ka regjistruar zyrtarisht kandidaturën për postin e presidentit, është Theodhor Masllavica. Një ish-peshëngritës i niveleve të kënaqshme, që për nga profesioni është ekonomist, dhe që një gjë tillë e ka shfrytëzuar për të ngritur një biznes të suksesshëm, sukses të cilin dëshiron ta konvertojë edhe në ngritjen edhe më lartë të peshëngritjes shqiptare. Për Masllavicën, gjendja aktuale peshëngritjes është në një situatë të vështirë. Nuk bëhet fjalë për mungesën e sportistëve të talentuar (pasi ai e njeh mirë potencialin e peshëngritësve të rinj dhe premtues), por për kushtet, në të cilat ata duhet të stërviten e të perfeksionojnë gjithnjë e më shumë mundësitë e tyre reale. Dhe për këtë ndryshim të gjendjes e ka një platformë shumë të detajuar, të gatshme për zbatim. "Kryesorja, ku ndihet nevoja për ndërhyrje, është përmirësimi dhe ngritjen e nivelit të peshëngritjes shqiptare si në evenimentet kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Garantimi i infrastrukturës së domosdoshme në nivelet bashkëkohorë. Ngritja në kuotën e duhur e rrogave të sportistëve (ajo që në peshëngritje njihet si trajtimi i sportistëve). Po ashtu, do të angazhohem maksimalisht në bashkimin e peshëngritje, e cila rezulton e përçarë në disa grupime". Pikat ku ai e mbështet platformën e tij janë të shumta, por është e pamundur të citohen të gjitha në një shkrim. Lidhja e tij me këtë sport nuk është e rastësishme. Nga 1984-1990 ka ushtruar peshëngritjen si sportist i Klubit të Peshëngritjes "Skënderbeu", në Korçë. Pas viteve ‘90, iu përkushtua biznesit dhe duke pasur gjendje ekonomike të mirë, ai i ka qëndruar gjithmonë pranë peshëngritjes, për të cilën ka kontribuar si në anë materiale, ashtu edhe anën financiare. Që nga viti 2006 ka qenë president i Klubit të Peshëngritjes "Tirana", të cilën e ka ngritur në nivelet e larta: aktualisht ky klub mban titullin e kampionit të peshëngritjes në vend. Masllavica është favoriti kryesor për postin e presidentit, pasi gëzon një mbështetje të gjerë në radhët e këtij sporti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›