E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester-Çelsi, shansi i fundit për Ançelotin

ANGLI- Mançester Junajtid dhe Çelsi zhvillojnë sot betejën vendimtare për titullin kampion në Angli, në përballjen që do të zhvillohet në “Old Traford” në orën 17.10. Për blutë e Karlo Ançelotit është shansi i fundit që ta mbyllin në mënyrë të suksesshme një sezon deri diku të dështuar, ndërkohë që atyre u duhet vetëm fitorja për të marrë kreun e Premier Ligës. Një mision i vështirë, duke parë formën e “Djajve të Kuq”, por edhe faktin se kjo skuadër në shtëpi mbetet e pathyeshme. Për Karlo Ançelotin, takimi i nesërm është edhe një shans i fundit që të shpëtojë pankinën e tij, pasi në rast disfate, shkarkimi duket një siguri. Në fakt, ishte e pamendueshme që Çelsi të mund të luftonte për titull, por humbja e një jave më parë e Mançesterit me Arsenalin e ka kthyer këtë skuadër plotësisht në valle. Sipas “The Sun”, Abramoviç e ka vendosur që ta largojë trajnerin italian në rast se dështon sërish ndaj Mançesterit.
Ferguson
Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Çelsit, trajneri i Mançester Junajtid Aleks Ferguson është shprehur i shqetësuar nga vendimi i Federatës për të caktuar si arbitër Hauard Ueb. Skocezi është shprehur i pakënaqur, duke deklaruar se është i shqetësuar se mos skuadra e tij pëson një tjetër vendim të padrejtë nga ana e arbitrit më të mirë të Anglisë. “Kemi pak frikë, - deklaroi Ferguson, duke kujtuar ndeshjet e fundit. – Gjithsesi, na duhet ta pranojmë se Hauard Ueb është arbitri më i mirë në vend dhe për këtë ndeshje është caktuar më i miri. Shpresoj që të jetë radha jonë për të patur pak fat”, shtoi tekniku i Junajtid. Në fakt, Ferguson mendon se fitorja e Çelsit ndaj Mançesterit në përballjen direkte të muajit mars, e riktheu këtë skuadër sërish në betejën për titull. Pas asaj ndeshjeje, ai kritikoi ashpër gjyqtarin Martin Atkinson për shkak se nuk ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin David Luiz, pasi ky i fundit pati disa përplasje me Havier Hernandez dhe Uejn Runin, ndërkohë që dha një penallti të dyshimtë të shndërruar në gol nga Frenk Lampard. “Ai rezultat solli ndryshimin për Çelsin. Ne e dimë se çfarë ndodhi, nuk ka nevojë ta kujtojmë. Ata ishin jashtë ndeshjes dhe fituan”, tha Ferguson.
Ançeloti
Ndërkohë Karlo Ançeloti beson se avantazhi qëndron mbi skuadrën e tij, e cila është nga të vetmet që ka arritur të fitojë në “Old Traford” në vitet e fundit. Blutë e Londrës kanë lënë vetëm dy pikë nga 27 të mundshmet në 9 ndeshjet e fundit, ç’ka tregon për një fundsezoni fantastik për ta. “Mançesteri shpresonte që të mos i duhej të luante këtë lloj ndeshjeje kundër nesh, - deklaroi Ançeloti. – Nëse ata do të kishin më shumë pikë avantazh do të ishte më e lehtë ndaj nesh. Ndoshta jo më e lehtë, por një ndeshje e ndryshme. Atyre u duhet të luftojnë sërish për titullin. Ndoshta dy apo tre javë më parë ata nuk e kishin menduar që do t’u duhej të luftonin kaq shumë. Nga ana psikologjike, për këtë arsye, ne kemi një avantazh”. Në lidhje me deklaratat e Ferguson kundër arbitrit, Ançeloti tha: “Nëse arbitri nuk ka eksperiencë, ndoshta mund të isha pak i shqetësuar. Por, me Hauard Ueb nuk ka probleme. Gabime bën çdo arbitër i botës, por për mendimin tim nuk është mirë të flasësh për ta”.

ANGLI
Sot
A.Vila-Uigan 1-1
Bolton-Sandërlend 1-2
Uest Hem-Blekbërn 1-1
Njukasëll-Birmingam 2-1
Everton-Man.Siti 2-1
Totenhem-Blekpul 1-1
Të dielën
Ulves-Uest Brom
Stouk-Arsenal
Man.UTD-Çelsi
Të hënën
Fulham-Liverpul
RENDITJA
Man.UTD 73
Çelsi 70
Arsenal 67
Man.Siti 62
Totenhem 56
Liverpul 55
Everton 51
Bolton 46
Fulham 45
Njukasëll 44
Sandërlend 44
Stouk 43
Uest Brom 43
A.Vila 42
Birmingam 39
Blekbërn 39
Blekpul 36
Uigan 36
Ulves 34
Uest Hem 33

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›