Geri Malaj, një “Lorik Cana” i ri
Merkatoja verore e ardhshme, që përkon edhe me përgatitjet e sezonit 2009-2010, mund të çojë një tjetër talent shqiptar në Gjermani, por të rritur e edukuar në shkollën spanjolle, pikërisht të Deportivo La Korunjës. Fjala është për Geri Malajn, mesfushorin shqiptar por me karakteristika të dukshme, për të ndërmarrë një inkursione sulmuese dhe një nga të rinjtë më të vlerësuar në rajonin e Galicisë në Spanjë. Në fakt, për 20-vjeçarin, i cili ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare U-21 në miqësoren kundër Turqisë (2007, Elbasan), ka kohë që interesohen disa klube gjermane të Bundesligës 1 dhe asaj 2.
“Po është e vërtetë. Geri ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Gjermani. Kjo edhe për faktin se është rritur në Spanjë, dhe ka një virtuozitet të lindur, për më tepër që skauterit me të cilët ne kemi lidhje vlerësojnë shumë njohuritë e mira të tij në lojën taktike. Geri ka cilësi të mira organizuese në lojë, në një farë mënyre mund ta konsiderosh të përafërt me karakteristikat e Lorik Canës, kur ai ishte në moshën e Malajt. Hera-herës nuk i pëlqen të jetë vetëm një rikuperues topash, por dhe të jetë pranë sulmit”, - shtoi Cenolli, i cili punon për agjencinë menaxheriale të futbollistëve “Vata Vision Football Management”, që ka për drejtues Rudi Vatën.
16 Prill 2009