E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSD, droga që bëri epokë

Është droga që frymëzoi Hendrix dhe "The Beatles" dhe i dha formë muzikës, artit dhe letërsisë së një breznie të tërë. Ndërsa bota i jep lamtumirën kimistit zviceran që krijoi LSD ja diçka nga historia e një "personashi" tw famshëm të shekullit të kaluar

Shitej nëpër rrugë në formën e kapsulave dhe tabletave, po më shumë kishte shans ta gjeje në formë të lëngët. Acid Lisergjik Dietilamid, ose ndryshe C20H25N30, ose LSD të fuste në një botë të panjohur më parë, në një botë ku mbretëronte harmonia kozmike dhe dashuria pa kushte, por që pasohej nga një ferr i vërtetë paranojash dhe djajsh uturitës. Germat LSD të bëra bashkë morën një kuptim shumë të veçantë për të rininë e viteve ‘60. Ato germa përfaqësonin fuqinë e drogës më të fuqishme e më të efektshme në botë. Ata që kishin përvojën e një "udhëtimi" 12 orësh do të raportonin kur të riktheheshin në realitet për një përvojë të jashtëzakonshme në toka të panjohura, në toka e vende mistike. Megjithatë, ata do të ndienin edhe frustrimin e mospasjes së aftësisë së duhur për t‘ua rrëfyer në magjinë e plotë përvojën e tyre dëgjuesve. "Udhëtarët" nuk gjenin fjalë e mënyra për të përshkruar pamjet, tingujt, aventurat që kishin përshkruar. Rrugëtimi i kishte çuar në një mbretëri tjetër të ndërgjegjes, e cila ishte shumë e vështirë që të perifrazohej dhe së dyti për kë dëgjonte këto eksperienca rrëfimi ishte shumë i mërzitshëm. Si mund ta përjetonin dëgjuesit rrëfimin e një "udhëtari" në galaktika të tjera, ndërsa fluturonin në boshllëk duke thithur pluhur yjesh. Në rrëfimet e të droguarve kishte shpesh edhe përmendje të Zotit. Por a dinte vallë njeriu që e shpiku LSD se çfarë lloj substance po sillte në jetë? Kur u ndërgjegjësua kimisti zviceran, Albert Hofman, që ndërroi jetë tri ditë më parë se ai kishte bërë një shpikje të mrekullueshme e makabre njëherazi? Fakti që ai arriti të kapte moshën 102-vjeçare duket sikur është një lloj falënderimi nga kushedi se çfarë forcash për krijesën që ai solli në jetë. Por rëndësia e shpikjes së tij në shekullin e 20 nuk kishte aspak të bënte me vlera kuruese. Rëndësia e saj e vërtetë ka të bëjë me fushën e kulturës. LSD u dha viteve ‘60 një koncept të ri, një koncept që u aplikua në jetën e përditshme, veçanërisht në art: psychedelia që ndryshe do të thotë të bësh të dukshëm shpirtin, të hapësh e të nxjerrësh jashtë brendinë tënde, veten tënde në gjendjen e saj metafizike për të përjetuar një gjendje qetësie dhe kënaqësie të parrëfyer dhe ekstreme. Shkrimtari britanik, Aldous Huxley, që kishte pasur përvojë me këtë drogë rrëfen dhe argumenton në librin e tij: "Dyert e perceptimit" se LSD kishin vlerë dhe ishin të dobishme e të mira vetëm në rastin se do të përdoreshin nga persona mjaftueshmërisht inteligjentë. Ja çfarë shkruan ai: "Të shkëputesh nga vargonjtë e perceptimit të zakonshëm, të të shfaqet përgjatë disa orëve të pafundme bota e brendshme dhe e jashtme, jo me shfaqjen që i jepet një kafshe të obsesionuar pas idesë së mbijetesës apo një qenie njerëzore të dhënë pas fjalëve dhe nocioneve të një morali strikt, por sikundër ato janë në të vërtetë dhe siç mund të perceptohen vetëm drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë të pakushtëzuar nga hapësirat e një mendjeje të çliruar. Kjo është një përvojë me një vlerë të paçmuar, por që mund të përballohet vetëm nga intelektualët dhe njerëzit inteligjentë". Pavarësisht "recetës" së lejuar vetëm për intelektualët dhe inteligjentët në vitin 1968, LSD-ja ishte një drogë që po e provonin shumë shtesa të shoqërisë dhe mosha të ndryshme. Fillimisht dukej sikur kjo drogë kishte ardhur për të ndryshuar botën. Teorikisht e gjithë "kundërkultura" rinore e Perëndimit, ata të rinj që dëgjonin rock‘n‘roll, thithnin bar, refuzonin rregulla të caktuara jetese dhe demonstronin kundër luftës së Vietnamit, nisi të merrte LSD dhe të zbulonte thellësinë trashendente të qenies që çonte në refuzimin e formave të zakonshme e normale të shoqërisë. Të rinjtë mund të ndanin me njëri-tjetrin perceptime që nuk mund t‘i provonin në jetën e përditshme të qarkuar e kufizuar nga rregullat. Në vitet e para të hyrjes së kësaj droge kishte shumë nga ata që mendonin se bota do të ndryshonte, por kjo nuk ndodhi. Por të paktën për disa vjet u duk sikur dyert e perceptimit u hapën sadopak. "Udhëtimi" i parë i drogës u krye në vitin 1943, më 16 prill. Bëhej fjalë për një aksident. Dr. Hoffman po kryente disa eksperimente me LSD-25 të cilën ai e kishte sintetizuar nga acidi lisergjik në vitin 1938 dhe po përpiqej që ta bënte edhe njëherë një gjë të tillë, duke pasur një parandjenjë se këtë herë do të përftoheshin tipare të ndryshme nga ato të mëparshmet. Doktori mori ca nga pluhuri në gishtat e tij kur arriti që ta përftonte sërish dhe e provoi. Ishte pasdite dhe nuk kishte shumë dëshirë për të punuar, kështu që vendosi të shkonte në shtëpi, por me t‘u shtrirë në shtrat hyri në një gjendje thuajse të ëndërrt. Përpara i doli një botë fantastike me forma të jashtëzakonshme e me ngjyra kaleidoskopike. I gjithë përjetimi zgjati rreth dy orë. Më pas kur u zgjua, ai vendosi që të bënte një eksperiment tjetër me veten e tij, këtë herë duke marrë një dozë shumë më të madhe. Dhe këtë herë gjithçka ishte shumë më e fuqishme, më e gjallë dhe thuajse reale. Ndërsa kishte këto përjetime, ai mendoi se mos ishte poseduar nga djalli, dhe se fqinja e tij ishte një shtrigë e keqe magjistare që po përpiqej që ta vriste. Kur shkoi te mjekët për t‘u vizituar, ata nuk vunë re ndonjë gjë të veçantë te pacienti i tyre i shqetësuar. Një ditë më pas, pasi u zgjua nga gjumi i magjishëm, ndihej shumë në formë. I dukej sikur të gjitha shqisat i kishin rilindur edhe njëherë dhe ndihej shumë i fuqishëm. Megjithatë, "dyert e perceptimit" për disa nga ata që janë në kërkim të vazhdueshëm të së vërtetës janë shumë të rrezikshme. Kur LSD u studiua nga mjekët u mësua se sa e vështirë ishte të ndaloje udhëtimin, pasi e kishe nisur. Të provoje magjinë e LSD-së ishte në njëfarë mënyre për disa sikur të kishte prerë një biletë njërrugëshe për në ferr-parajsë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, qeveritë amerikane dhe britanike ishin munduar të eksploronin ndikimet dhe pasojat e cilësive unike të LSD-së për "arsye shoqërore". Ata ishin të bindur se do të përftonin rezultate shumë të mira nëse do ta përdornin gjatë marrjeve në pyetjeje të të dyshuarve të ndryshëm apo të spiunëve e bashkëpunëtorëve të kampit armik. Në vitin 1953 dhe 1954 shkencëtarët që punonin për MI6, Shërbimi Inteligjent Britanik i droguan disa ushtarë me LSD pa dijeninë e tyre. Përjetimet e ushtarëve ishin nga më të çuditshme, por çuditërisht askush prej ushtarëve nuk hapi gojë për çështjet sekrete sikurse shpresonin mjekët e shërbimit inteligjent. Po nëse LSD nuk u përdor në luftë, ku gjeti përdorim? Së pari, bota shkencore ishte e mendimit se kjo drogë do të bënte mrekullira në rast se do të përdorej në fushën e psikanalizës, sepse do t‘i ndihmonte pacientët që të zhbllokoheshin nga kujtimet e kyçura të së shkuarës dhe terapia do të ishte shumë më e efektshme. Një psikolog i universitetit të Harvardit ishte i mendimit se kjo lloj droge mund të përdorej si një mënyrë për ndriçimin shpirtëror, si një katalizator përjetimesh fetare, si një mjet që mund të të çonte drejt takimit me hyjnoren. Kështu, kjo drogë mori në njëfarë mënyre një veshje gati hyjnore dhe u përqafua nga shumë njerëz kryesisht të rinj që kërkonin "ekstazën", apo "eksitimin". Në vitin 1966, qeveria amerikane vendosi që ta ndalonte përdorimin e saj. Që nga ai moment ajo nuk ishte më simbol i përndritimit dhe ndaj saj nisi një luftë e fortë morali e përçuar nga mësuesit, policët dhe vetë strukturat qeveritare. LSD ishte një drogë e shenjtë që nuk të lejohej. Në vend që të rebelohej (çka në fakt ndodhi pak më vonë) "kundërkultura" e "përqafoi" tërësisht idenë e LSD-së duke krijuar efektet e saj në muzikë, art, kinema, libra, veshje, kërcim.

Efekti acid: Ndikimi i LSD-së në ....

kinematografi

Filmi tipik i LDS-së është "Udhëtimi" me skenar të Jack Nikolson e me aktorë si Peter Fonda dhe Dennis Hoper. Duke qenë se ishte tërësisht pro përdorimit të drogës, filmi u censurua disa herë. Një tjetër film ku flitet për efektet e LSD është edhe "Kalërimi i lehtë". Kishte dhe filma kundër të tillë si ai i "Gjendja e tjetërsuar" e Ken Russell, i cili i sulmon efektet "përdritëse" të drogës. Tre dhjetëvjeçarë pas filmit "Udhëtimi" LSD në filmin "Shtëpia prej acidi" u shndërrua në një substancë magjike me një pushtet okult.

Muzikë

U shfaq në një tendencë që u quajt "roku acid" dhe pjesët muzikore të japin përshtypjen se janë krijuar dhe quajtur nga një bandë që ndodhet e tëra nën efektin e LSD-së. Që të dëgjosh një muzikë të tillë duhet që të jesh edhe vetë nën efektin e drogës, pasi ndryshe nuk e kupton. Këto lloj krijimesh e këngësh kanë fare pak tekst dhe janë të pasura me pasazhe melodish që kryesisht luhen me kitarë. Grupet që përqafuan këto ndikime ishin "The grateful dead" nga San Francisko, e grupe të tjera, por sigurisht që më i famshmi ndër ta është "The Doors". LSD pasqyrohet te këngët "The end" apo "Riders on the storm". Në Britaninë e Madhe viti 1967 ishte viti i "The Beatles" dhe i kryeveprës së tyre "Sergeant Pepper‘s Lonely Hearts Club Band" bazuar në një vizion haluçinant. Banda të tjera britanike që bënë "rok acid" ishin edhe Pink Floyd, apo Rolling Stones

Letërsi

Për shkak të vështirësisë së madhe për të evokuar një udhëtim në botën e LSD-së, letërsia e saj është e kufizuar. Heroina, kokaina, marijuana, alkooli kanë qenë frymëzime për shumë vepra letrare, por LSD nuk arriti që të prodhonte prozë të mirëfilltë, përpos disa krijimeve që sot nuk mbahen mend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›