E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana zbulon "sekretet" e Erih Gerets

Revista prestigjioze franceze, "France Football", ka bërë një reportazh mbi metodën e punës së Erih Gerets, trajnerit belg, që e mori Olimpikun e Marsejës nga fundi i tabelës dhe e çoi në vendin e tretë në renditje. Sipas kësaj reviste, po të merren në konsideratë vetëm ndeshjet që nga momenti kur Gerets mori drejtimin e ekipit, marsejezët tashmë do të ishin duke luftuar për titullin kampion, pasi gjatë këtyre javëve kanë regjistruar vetëm dy pikë më pak se Olimpiku i Lionit. Kjo është arsyeja pse "France Football" po kërkon të zbulojë metodën e punës së trajnerit belg, të cilën e ka shpjeguar pikërisht Lorik Cana, kapiteni i marsejezëve. "Në dhomat e zhveshjes, Erih Gerets nuk është as shok dhe as diktator. Ai është diçka mes dy ekstremiteteve. Lorik Cana, kapiteni i marsejezëve, e përfshin gjithçka në një frazë. "Ne mund të qeshim me të, pasi është një njeri me humor, por në të njëjtën kohë mban autoritetin e tij. Ne të gjithë kemi shumë respekt për të". Edhe mënyra e lojës së marsejezëve është diçka mes këtyre dy sjelljeve. Që pas mbërritjes në Marsejë, Gerets ka vënë në zbatim disa rregulla të rrepta mes kolektivit. Përveç dy seancave stërvitore në ditë, marsejezët janë të detyruar të drekojnë së bashku në ambientet e klubit. Të gjithë lojtarët duhet të paraqiten në të njëjtën orë në mensë dhe nuk duhet të fillojnë të ushqehen deri në momentin kur Gerets apo kapiteni Cana ulen në tavolinë dhe japin sinjalin. "Të gjithë e kanë pranuar lehtësisht këtë rregull", shprehet Cana. "Gerets ka të drejtë. Ai është një trajner me emër në Evropë dhe botë. Me kalimin e viteve ai ka fituar shumë eksperiencë në kampionate të ndryshme. Është një fitues, ndaj ne respektojmë gjithçka që na kërkon". Gerets nuk ndalet këtu, pasi ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që në qendrën stërvitore të vihen edhe shtretër, në mënyrë që lojtarët të flenë aty gjatë ditëve të veçanta. Lojtarët bëjnë edhe humor me trajnerin, sidomos për sa i përket pamjes së tij disa vite më parë, kur mbante mjekër, pasi i kanë vënë një foto të tillë në dhomat e zhveshjes. "Ai ka shumë humor. Me të mund të qeshësh lirisht. Por të gjithë e dimë mirë se nuk duhet ta teprojmë", tregon Cana. Kjo mjafton për të kuptuar seriozitetin e trajnerit që e mori ekipin në vendin e 17-të dhe që po e çon në Ligën e Kampioneve", shkruhet në reportazhin e publikuar nga "France Football".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›