Manchester City gabon në shtëpi, 1-1 me West Brom

Manchester City humbi shansin për të mbyllur hendekun me vendin e parë, duke u ndalur në një barazim 1-1 në shtëpi përballë West Brom. Të besuarit e Guardiolës, pas barazimit në derbi me United, shpresonin të arrinin një fitore të lehtë. Pas 30 minutash lojë arritën të gjejnë rrugën e rrjetës me anë të Ilkay Gundogan, assist i Raheem Sterling.
West Brom kishte një mundësi të mrekullueshme me Grant, i cili goditi dobët në drejtim të Ederson. Gjithsesi, të besuarit e Slaven Bilic rivendosën barazinë kundër rrjedhës së lojës në fundin e pjesës së parë. Goditja e Semi Ajayi mori një devijim nga Ruben Dias dhe portieri i City, Ederson nuk kishte se çfarë të bënte, 1-1.
Sergio Aguero u prezantua nga pankina në këtë sfidë, pritja për golin e tij të parë do të vazhdojë. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Gabriel Jesus, një tjetër natë zhgënjyese për të. City i mungoi intensiteti, ndërsa u përpoq të godiste nga distanca. Sam Johnstone u tregua i shkëlqyer me pritjet e tij në rastet e Gundogan dhe Sterling. Barazimi e vendos City në vend të gjashtë, 5 pikë pas Tottenham. Ndërkohë, West Brom mbetet në vendin e 19-të.