E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini: “Fitore në fushë të vështirë”

"Ishte një fitore e rëndësishme për grupin në një fushë të vështirë. Megjithatë ishte një fitore e merituar", - këto ishin fjalët e para të Roberto Mancini pas suksesit të zikaltërve kundër CSKA-së së Moskës në "Lokomotiv Stadium".
Inter FC realizoi një përmbysje madhështore në Moskë, duke fituar 2-1 me CSKA, në ndeshjen e vlefshme për Grupin G të Ligës së Kampioneve. Goli vendimtar u shënua nga Valter Samuel në minutën e 80-të. Pasi pësuam golin nga një kundërshtar i fortë - vazhdoi tekniku zikaltër, - ishim ne që bëmë ndeshjen dhe mund të shënonim gola të tjerë. Më vjen shumë keq për dëmtimin e Vieirasë, por këto mund të kuptohen në futboll pasi vjen pas një kohe të gjatë dëmtimi. Është mëkat pasi Vieira është një kampion dhe për ne është i rëndësishëm. Sigurisht, të pasurit e sulmuesve që dinë të zgjidhin ndeshjen është një cilësi e kësaj skuadre. Por u tregua i zoti edhe Samuel, që, përmes të tjerave, është duke kaluar një periudhë të një forme të madhe".
Në pjesën e parë Interi u shfaq shumë i zbehtë. CSKA-ja ishte më agresive në fraksionin e parë të lojës, por edhe pse pati disa raste golin e gjeti në minutën e 32-të, kur pas një rasti të pashfrytëzuar nga Dudu kaloi në avantazh me Jo, një e djathtë e fuqishme para së cilës Hulio Sezar nuk mund të bënte asgjë. Interi reagoi, por golin e barazimit e shënoi vetëm në pjesën e dytë: në minutën e 52-të Kambiaso dërgoi një top në zonë dhe Krespo në kufijtë e pozicionit jashtë loje shënoi nga një distancë e afërt: 1-1. Zikaltërit ishin shumë herë pranë golit të dytë me Stankovicin, Ibrahimovicin dhe dy herë me Kruzin (e futur në vend të Krespos). Rusët patën një mundësi të mirë për të kaluar në avantazh me anë të Rahimic. Dhjetë minuta përpara përfundimit erdhi dhe goli i shumëpritur për Mancinin. Luis Figo ekzekutoi një goditje dënimi dhe Samuel me kokë e dërgoi topin në rrjetë duke mposhtur portierin Mandrikin, i cili gaboi në mënyrë të pabesueshme duke i dhuruar fitoren Interit, tashmë në kuotën e gjashtë pikëve. Trajneri Mancini jep edhe një mendim për Krespon: "Është gjithmonë deciziv, edhe kur nuk është në gjendjen e tij më të mirë. I mjafton një pas për ta shndërruar në gol. Është e qartë që askush nuk është i kënaqur kur zëvendësohet, por në atë moment ishte e nevojshme të ndërrohej. Kualifikueset në një të tetat një hap larg? Nuk jemi akoma të kualifikuar, por në këtë mbrëmje (dje) morëm tri pikë shumë të rëndësishme. Tani situata në grupin tonë do të vendoset në ndeshjet e ardhshme në shtëpi". Interi do të luajë fillimisht me CSKA në "San Siro" dhe më pas me Fenerbahcen, me të të cilën humbën në Stamboll.

Morati: "Jemi të kënaqur"

"Pas një fillimi të vështirë, në pjesën e dytë skuadra bëri një lojë të shkëlqyer. Kishim një kundërshtar të vështirë dhe të frikshëm, që luante në shtëpinë e tij. Ndoshta mund të shënonim më shumë gola, por dhe kështu është mirë. Arritëm një fitore të rëndësishme, jam tepër i kënaqur", - tha pas ndeshjes presidenti i Interit, Masimo Morati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›