E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brekët fatlume

Mesfushori i Birminghamit, Craig Gardner që dy vite vesh të njëjtat brekë gjatë ndeshjeve dhe beson se ato do t’i sjellin fat edhe sot në ndeshjen finale të Carling Cup kundër Arsenalit. Ai pranon se Topxhinjtë janë favoritë, por paralajmëron se ekipi i tij është i gatshëm për betejë. Nga Express më 27 shkurt 2011 në ora 12:11

Mesfushori Craig Gardner ka bërë të ditur sekretin e rrugëtimit të Birminghamit në Carling Cup - brekët e tij fatlume.

Heroi i Blues, i cili shënoi golin që dërgoi ekipin e tij në Wembley, mban gjithmonë brekët e njëjta gjatë ndeshjeve. Gardner nuk planifikon t’i ndërrojë ato para ndeshjes më të madhe të karrierës së tij, të dielën kundër Arsenalit.

“I mbaj tashmë dy vite, janë të bardha dhe të mëdha. Janë të këqija, por duket se po kryejnë punë. Për mua, të jem futbollist profesionist është sikur jetoj një ëndërr. Por, të luaj në Premierligë, në Wembley, me Birminghamin që kam përkrahur prej kur isha fëmijë, është ndjenjë e shkëlqyeshme”, tha Gardner për tabloidin anglez The Sun.

24 vjeçari ka shpjeguar dallimet mes Birminghamit dhe ish skuadrës së tij Aston Villas. “Kurrë nuk e kam puthur fanellën e Aston Villas, madje as kur kam shënuar ndonjë gol të bukur. Është ndryshe me Birminghamin. Nëse shënoj golin e fitores në Wembley, ndoshta do të më shihni duke e bërë”, shtoi ai.

Gardner ka qenë futbollisti kryesor i Birminghamit në rrugëtim drejt Wembleyt dhe shënoi golin e fitores në lojën shtesë të ndeshjes gjysmëfinale kundër West Hamit. Ai mendon se Birminghami, që ka kaluar edhe në çerekfinale të FA Cup, mund të befasojë favoritin, Arsenal.

“Finalja do të jetë 90 minuta betejë. Nuk mendoj se Arsenali është i kënaqur që do të takohet me ne. Ata janë ekip i ri dhe favorit. Por, nuk kanë fituar asgjë për gjashtë vite dhe kjo sjell presionin e vet. Kjo është e mira e ndeshjes. Ne jemi autsajderë, që na përshtatet. E dimë se sa të mirë janë ata, ndoshta ekipi që pason topin më së miri në botë pas Barcelonës. Por, nuk do të tregoj respekt në finale”, theksoi ai.

Gardner - i cili iu bashkua Aston Villas në moshën 13 vjeç- kaloi te Birmingham në janar të vitit të kaluar për 3.5 milionë funte.

Mesfushori ka bërë paraqitjet e tij më të mira nën drejtimin menaxherit Alex McLeish dhe së fundmi spekulohet se mund të përfshihet në Kombëtaren e Anglisë.

“Ka qenë transferim i shkëlqyeshëm. Nuk kam pasur nevojë të ndërroj shtëpinë, që ishte shumë mirë sepse e dua Birminghamin si qytet. Kënaqem në çdo minutë, jemi të bashkuar, të gjithë jemi shokë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›