Mançini cakton rivalët për titull në Angli
Roberto Mançini nuk parashikon që Mançester Siti të shpallet kampion i Premier Ligës në këtë sezon. Trajneri italian është duke shijuar një start të lavdishëm në “Eastlands”, duke fituar të katër ndeshjet që ka pasur në dispozicion, e fundit ajo kundër Blackburn, të hënën. Triumfi 4-1 e çoi Sitin në “top-four”, çka ishte edhe objektivi i vendosur për ish-trajnerin Mark Hughes në fillim të sezonit nga pronari miliarder, Sheiku Mansour. Për momentin, Siti është vetëm shtatë pikë larg lideri të Premier League, Çelsit dhe gjashtë pikë nga rivalët e qytetit, Mançester Junaitid, por duke pasur edhe një ndeshje më pak. Kampionati i fundit që ka fituar Mançester Siti daton në vitin 1938, por Mançini beson se titulli do të diskutohet midis tre skuadrave të tjera. “Sipas meje janë tri skuadra që mund ta fitojnë kampionatin: Çelsi, Junaitid dhe Arsenali”, - tha ish-trajneri i Interit. “Futbolli mund të jetë i çuditshëm dhe gjërat mund të ndryshojnë në disa muaj. Ka edhe ekipe të tjera që janë pas, kështu që asgjë nuk e është totalisht e pamundur, por për mua, titulli do të jetë një çështje midis këtyre të triave”.
16 Janar 2010