Konstitucionalistët dhe aspekti juridik i mandatit të deputetëve socialistë
Konstitucionalistët shprehen kundër heqjes së mandatit. Luan Omari dhe Njazi Jaho e konsiderojnë të gabuar
Muajt e fundit është folur gjatë për mandatet e deputetëve socialistë dhe mundësinë e “djegies” së tyre për shkak se ata kanë zgjedhur të mos ndjekin punimet e Kuvendit. Për këtë arsye, konstitucionalistët e njohur, njohësit më të mirë të anës juridike të çështjes të nxitur nga debati politik, por dhe nga mediat, kanë komentuar këtë çështje. Dy më të spikaturit në këtë fushë, Luan Omari dhe Njazi Jaho, kanë komentuar në shkrime dhe intervista aspektin juridik e kushtetues të mandatit të deputetëve dhe mundësinë e ndërprerjes së tyre. Që të dy këta konstitucionalistë, të bazuar në një analizë të detajuar dhe të zgjeruar të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor të Rregullores së Kuvendit, të rasteve të mëparshme të bojkotit në këtë kaluarën, si dhe të kushtetutave të shteteve të tjera europiane e më gjerë, e konsiderojnë krejtësisht të gabuar nismën për të ndërprerë mandatin e deputetëve të PS-së, si dhe mundësinë e zëvendësimit të tyre më deputetë të tjerë nga lista e këtij subjekti politik. “Do të ishte e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. Një vendim i tillë do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike”, - ka shkruar në një koment të botuar disa kohë më parë në një të përditshme, konstitucionalisti i njohur, Luan Omari. Më poshtë po paraqesim argumentet që parashtrojnë këta njohës të mirë të legjislacionit për këtë çështje.
Luan Omari
“Përsa i përket mbarimit të mandatit, ai i Kuvendit, si rregull, përfundon me mbarimin e afatit katërvjeçar të legjislaturës, ose në rast të një shpërndarjeje të parakohshme të tij.
Mandati i deputetit, në bazë të Nenit 71/1 të Kushtetutës, mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye (nënvizimi im) mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Çështja e mbarimit të parakohshëm të mandatit të deputetit kohët e fundit është bërë objekt diskutimesh me rastin e bojkotimit të Kuvendit nga ana e gjithë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që përfshin 64 deputetë, të cilët nuk kanë bërë as betimin në Parlament. Eksponentë të lartë të qeverisë dhe të shumicës parlamentare janë shprehur se për deputetët që vazhdojnë bojkotin do të zbatohen sanksionet e parashikuara në Kushtetutë, çka nënkupton marrjen e një vendimi për mbarimin e mandatit të tyre. Madje, është thënë se në rast se deputetët e zgjedhur me mbarimin e afatit 6-mujor nuk do të paraqiten në Kuvend, ata do të zëvendësohen nga kandidatët për deputet që vijnë pas tyre në listat që çdo parti ka paraqitur, në bazë qarku, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarata të tilla janë kundërshtuar ashpër nga opozita.
Si qëndron çështja nga pikëpamja juridiko-kushtetuese? Për t'i dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje duhen analizuar jo vetëm nenet përkatëse të Kushtetutës, por edhe ato të Rregullores së Kuvendit dhe të Kodit Zgjedhor që i referohen këtij problemi. Në Nenin 4/1 të Rregullores së Kuvendit, që është aktualisht në fuqi, thuhet: ‘Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë’. Ndërsa Neni 164 i Kodit Zgjedhor, duke iu referuar Nenit 71 të Kushtetutës, thotë se ‘nuk përbëjnë shkaqe për ndërprerjen e mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati’. Në rastin e shkronjave ‘a’ dhe ‘b’ të Nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të së njëjtës parti politike të së njëjtës zonë zgjedhore përkatëse. Nga analiza e këtyre dispozitave të Rregullore së Kuvendit dhe të Kodit Zgjedhor mund të lindin disa pyetje, si dhe të parashtrohen disa mendime. A mund të shpallet i shfuqizuar mandati i deputetit për mosbërjen e betimit kur ai, sipas rregullores, ka të drejtë ta bëjë atë në seancën e parë, në të cilën do të marrë pjesë (dhe Rregullorja nuk cakton ndonjë afat për këtë seancë)?
A përbën ‘arsye’ për mungesën në Kuvend mbi 6 muaj rresht fakti që kjo mungesë është rrjedhojë jo e një motivi individual, por e një vendimi politik të një grupi parlamentar, pavarësisht nga vlerësimi që gjithsecili mund t'i bëjë këtij vendimi?
Duke pasur parasysh kërkesën e lartpërmendur të Kodit Zgjedhor që deputeti duhet të deklarojë publikisht para Komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë botimin ose heqjen dorë nga mandati, ç'do të bëhet nëse deputetët bojkotues nuk do ta bëjnë këtë deklaratë publike? Vlen të vihet në dukje se deri sot asnjë nga deputetët socialistë dhe as grupi i tyre parlamentar nuk kanë bërë ndonjë deklaratë se ata refuzojnë të bëjnë betimin dhe as se heqin dorë nga mandati. Duhet thënë se bojkotimi i punimeve të Parlamentit ka precedentë në Shqipëri. Vlen të përmendet se gjatë bojkotimit të Kuvendit nga ana e deputetëve të PD-së, si pas zgjedhjeve të vitit 1997, ashtu edhe pas atyre të vitit 2001, nuk u mor as ndonjë masë për pezullimin e pagës së deputetit. Dhe duhet shtuar se ky pezullim nuk u zbatua ndonjëherë as për deputetin Fatos Nano, me gjithë mungesat e tij sistematike në Kuvendin e viteve 2005-2009. Besoj se ka interes të shihet si e trajtojnë disa Kushtetuta të vendeve të ndryshme çështjen e mbarimit të parakohshëm të mandatit të deputetit. Kushtetutat e SHBA-ve, e Italisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Austrisë, Holandës, Kroacisë, Rusisë, Norvegjisë, Sllovenisë, Spanjës, Suedisë nuk bëjnë fare fjalë për mbarimin e mandatit. Nga këto që parashtruam del se do të ishte e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve, kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. Një vendim i tillë do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike”,- ka argumentuar konstitucionalisti Luan Omari.
Njazi Jaho
Edhe konstitucionalisti i njohur, Njazi Jaho, në një intervistë dhënë në një përditshmeje shqiptare pak kohë më parë ndan të njëjtin mendim me kolegun e tij Omari përsa i përket çështjes së mandatit të deputetëve të PS-së. “Nuk di të ketë ndonjë nen në Kushtetutë apo në Rregulloren e Kuvendit ku të bëhet fjalë për afate të tilla. Nëse dikush për këtë i referohet Nenit 71, pika 2, germa ‘d‘, të Kushtetutës, mendoj se gabon. Në këtë dispozitë thuhet se ‘mandati i deputetit mbaron në rastin kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend’. Ky është rasti kur deputeti i pranishëm në Kuvend bën betimin, por më vonë mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Ndërsa në rastin konkret kemi të bëjmë me deputet apo deputetë që nuk kanë bërë betimin. Si rrjedhim, afati i mungesës mbi 6 muaj rresht nuk ka të bëjë me ta. Në këtë vështrim, mendoj se nuk do të ishte e ligjshme që të caktoheshin afate minimale apo maksimale për ndërprerjen e mandatit të deputetit, që nuk vjen në Parlament për të bërë betimin. E them këtë sepse afate të tilla nuk parashikohen në ligj. Nëse do të konsiderohej se debati lidhur me këtë çështje, është pasojë e ndonjë ?????????????ometimi kushtetues, ndoshta do të duhej interpretim i Kushtetutës. Është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente të krijojë norma të reja, por interpretimi i dispozitave përkatëse të Kushtetutës dhe i frymës së saj mund të parandalonte veprimet e nxituara dhe me pasoja të dëmshme, sidomos për veprimtarinë normale parlamentare. Preokupimi dhe angazhimi më i madh dhe i gjithanshëm mendoj se duhet të ishte jo gjetja e ndonjë dispozite që do të justifikonte mbarimin e mandatit të deputetëve, por dialogun serioz midis palëve”, - ka argumentuar Jaho.
Kërkohet interpretimi i skadimit të mandatit në Kushtetuese
Në kohën kur kanë mbetur edhe pak javë për përfundimin e afatit 6-mujor të skadimit së mandatit të deputetëve të opozitës, janë shtruar ide që ngërçe të tilla ligjore të interpretohen në Gjykatën Kushtetuese. Ky propozim është hedhur nga deputeti socialist Arben Malaj. Në një intervistë dhënë për gazetën “Albania”, Malaj theksoi domosdoshmërinë për interpretimin e Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit në lidhje me rastin kur një deputetet mungon më shumë se 6 muaj në Parlament, duke marrë në shqyrtim mungesën e të zgjedhurve socialistë për shkak të bojkotit. Sipas tij, një interpretim i tillë ligjor duhet të bëhet për të shmangur një situatë paradoksale që mund të krijohet në mars, kohë kur deputetët socialistë bëjnë 6 muaj bojkot. Deputeti i PS-së thotë se sqarimi i kuadrit ligjor dhe kushtetues do të ishte një parapritë për përkeqësimin e krizës politike në vend dhe do të shmangte një shteg kaotik në të cilin mund të futej politika dhe institucionet në Shqipëri.
KUSHTETUTA PËR MANDATIN
Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose
papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69 dhe 70 paragrafët
2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për
kryerjen e një krimi.
16 Janar 2010