Mancini e do Ibrën e Fabregasin

Manchester City duket se do të jetë aktiv edhe gjatë kësaj vere. Menaxheri i këtij klubi, Roberto Mancini i ka veçuar lojtarët të cilët do t’i dëshironte t’i ketë në shërbim sezonin e ardhshëm.
Trajneri italian, i cili ia siguroi ekipit ‘Citizens’ edhe matematikisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, dëshiron menjëherë përforcime.
Lojtari i parë që do ta dëshironte në Manchester është sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç, me të cilin kishte punuar në Inter. Ndërsa, i dyti është mesfushori kryesor i Arsenalit, Cesc Fabregas.
“Janë dy lojtarë që do më pëlqente t’i drejtoja: Ibrahimoviç e Fabregas. Nëse Zlatani dëshiron të vijë, një vend ia siguroj menjëherë”, theksoi trajneri italian.
Për momentin sulmuesi suedez nuk ka kërkuar largimin, por kur janë në pyetje paratë që ofron City, gjithçka mund të ndryshojë. Kurse, mesfushori spanjoll ka paralajmëruar largimin gjatë verës, me Barçën favorite për të ardhmen e tij.
Ndërkohë, Mancini ka treguar se sulmuesi argjentinas, Carlos Tevez sipas të gjitha gjasave në të ardhmen do të luajë në Itali.
“Në dhjetor e kemi kuptuar se Carlos dëshiron të luajë ën Itali. Nëse ndërron mendje, ne jemi të gatshëm ta mbajmë me gjithë qejf”, shtoi Mancini, i cili konfirmoi se në sulm nuk do të ketë ndonjë largim tjetër.