Në finale, Prishtina - Besa
Besa dhe Prishtina do të luajnë në finale të Kupës së Kosovës në futboll, pasi në gjysmëfinale ishin më të suksesshëm se Liria, respektivisht Gjilani. Pejanët kanë fituar në duelin e dyfishtë ndaj prizrenasve. Ata e administruan mjaft mirë fitoren e shënuar në Prizren, duke fituar edhe të mërkurën në Pejë me rezultat 3:1.
Dukagjin Gashi e ka kaluar ekipin vendës qysh në minutën e 13-të, pas një goditjeje të lirë nga distanca. Ekipi i Valdet Shoshit e ngriti avantazhin në minutën e 34-t përmes Bernard Berishës, i cili u shërbye nga Haxhi Zeka.
Dy minuta më vonë, mysafirët e patën mundësinë që ta ngushtonin epërsinë e vendësve, por Rafet Mullallari dështoi nga penalltia, pasi më i suksesshëm ishte portieri pejan Valmir Bytyqi. Prizrenasit e zbutën rezultatin në minutën e 60-të me anë të të riut Dobroshi.
Kurse vulë këtij takimi i dha kapiteni i Besës, Haxhi Zeka, i cili me një parabolë shënoi golin e tretë për mikpritësit, 13 minuta pa përfunduar takimi. Besa iu hakmor si është më së miri Lirisë, e cila e eliminonte nga gjysmëfinalja në dy përballjet e fundit.
Ndërkohë, Prishtina u tregua e sigurt ndaj Gjilanit, të cilin e mposhti 3:1. Bardhekaltrit e gjetën golin e parë qysh në minutën e dytë, pas një goli fantastik të Isuf Llumnicës. Rastet që lëshuan vendësit në vazhdim u kushtuan përkohësisht, pasi Feriz Frangu i gjilanasve i barazoi shifrat në minutën e 33-të.
Por, për ta çuar Prishtinën në finale u përkujdes mesfushori Llumnica, i cili ishte njeriu i ndeshjes. Përpos golit, ai asistoi në dy golat tjerë, të cilët i shënuan Astrit Fazliu (18’) e Suad Saliagiq (83’). Ndërkohë, vendësit goditën tërthorësen dy herë me anë të shënuesve Fazliu e Saliagiq.
Kupa e Kosovës
Gjysmëfinalja
Besa – Liria 3:1 (1:0)
Prishtina – Gjilani 3:1 (1:1)
Në kllapa, rezultatet e ndeshjeve të para