E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja, historia e plotë e Arjan Selimit me drejtësinë

Arrestimi, burgosja dhe dënimi i Selimit, deri te kthimi i çështjes për rigjykim dhe rifitimi i lirisë me kusht. Procesi i ri te Krimet e Rënda për trafik narkotikësh, pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Tiranë Arjan Selimi, i ekzekutuar mbrëmjen e djeshme me një breshëri automatiku, kishte arritur të fitonte lirinë me kush vetëm një vit më parë, pas përfundimit të kohës së paraburgimit. Selimi ishte në proces gjyqësor që prej vitit 2010, kur Gjykata e Lartë kthehu për rigjykim dosjen në ngarkim të tij, me argumentin se, gjatë procesit të parë ku ishte dënuar me 16 vjet burg, kishte pasur shkelje procedurale. Në procesin e ri që po zhvillohej në Gjykatën për Krime të Rënda, ishin zhvilluar 40 seanca gjyqësore, dhe procesi ishte ende në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Emri i Arjan Selimit alias Armand Andoni do të përmendej për herë të parë në vitin 2002 në një dosje penale të drejtësisë italiane për një grup trafikantësh shqiptarë që kishin nisur të trafikonin heroinë e kokainë drejt Italisë. Dosja me përgjime dhe informata për grupin me 7 të dyshuar fillimisht u përcoll në Prokurorinë e Fierit dhe më pas të Krimet e Rënda, si prokurori kompetente për organizata kriminale. Në vitin 2004 një superoperacion i koduar “Kompas” përfundoi me 6 të arrestuar dhe një person të shpallur në kërkim për akuzën e trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim. Mes të arrestuarve ishte edhe Arjan Selimi, i cili u ul në bankën e të akuzuarve për trafik narkotikësh në bashkëpunim me një grup fierakësh, të cilët u shpallën fajtorë dhe u dënuan për këtë akuzë. Selimi u prangos nën shoqërinë e të dashurës së tij Inis Gjoni, duke darkuar në një lokal të njohur në kryeqytet. Për rreth një vit, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetime për grupin e arrestuar në kuadër të operacionit “Kompas”, duke dërguar çështjen për gjykim më 22 shkurt të vitit 2005. Edhe pse kishte në dorë përgjime dhe materiale të tjera të dërguara nga drejtësia italiane, prokuroria shqiptare vetëm në fund të procesit gjyqësor që zgjati tre vjet arriti të plotësojë akuzat ndaj të pandehurve dhe të kërkojë dënimet përkatëse. Përfaqësuesi i akuzës argumentoi se të pandehurit, në rolin e organizatorëve, transportuesve dhe shpërndarësve, kishin arritur të trafikonin drejt Italisë sasi të konsiderueshme heroine dhe kokainë. Akuzat dhe materialet e prokurorisë bindën gjykatën të japë fajësi për të pandehurit, duke dënuar me 16 vjet burg edhe Arjan Selimin për akuzën e trafikut të narkotikëve. Ky proces u përshkrua nga një episod jo fort i këndshëm jo vetëm për Selimin dhe të dashurën e tij, por edhe për prokurorinë, e cila u vu në qendër të akuzave për shpërndarjen e një video private të gjetur në celularin personal të Arjan Selimit. Kjo çështje iu nënshtrua një procesi gjyqësor me palë paditës Arian Selimin dhe Inis Gjonin dhe me të paditur Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila nuk rezultoi përgjegjëse për publikimin e videos. Paralelisht me këtë proces, Krimet e Rënda vijuan shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurve të “Kompas” për gati tre vjet, duke i dënuar ata për akuzat e ngritura nga Prokuroria Shqiptare në bazë të informacioneve dhe përgjimeve që drejtësia italiane u kishte vënë në dispozicion qysh në vitin 2002. Të gjithë të pandehurit e kundërshtuan vendimin e shkallës së parë, duke kërkuar kthimin e çështjes për gjykim, uljen e masës së dënimit, apo edhe ndryshimin e cilësimit juridik të akuzave për të cilat ata ishin shpallur fajtorë. Më 19 maj të vitit 2008, pra katër muaj pas vendimit të shkallës së parë, Apeli i Krimeve të Rënda uli me dy vjet masën e dënimit për Arjan Andonin, i cili gjithashtu ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Më 7 maj të vitit të shkuar, shkalla më e lartë e gjyqësorit vendosi të kthejë për rigjykim çështjen në ngarkim të Selimit dhe të një prej 6 të pandehurve të tjerë të arrestuar në operacionin “Kompas”.

L. Bakillari

/////////////////////

Inisi e shokuar, lajmin ia dha e motra

Inis Gjoni ka qenë padyshim më e shokuara kur ka marrë vesh lajmin e vrasjes së të fejuarit. Kanë qenë gjithë ditën bashkë dje, ndërsa Arjani ka shkuar në shtëpinë e tyre, Inisi ka qëndruar për një kafe me motrën e saj të madhe. Lajmin e ka mësuar e motra përmes televizorit e më tej Inisi, e cila nuk e besonte dhe ende nuk e beson atë që ka ngjarë. Të afërmit e Inisit kanë qenë ata që kanë lajmëruar familjen në Amerikë, ndërsa i ati i Arjanit e ka mësuar lajmit përmes televizorit. Funerali i Arianit do të bëhet pas ardhjes së prindërve dhe motrës së tij nga Amerika.

Historia e dashurisë me Inis Gjonin

Arjan Selimi dhe Inis Gjoni nisën një lidhje dashurie 10-vjeçare. Për rreth 5 vjet ata jetuan marrëdhënien e tyre të dashurisë deri në momentin kur Arian Selimi u arrestua nga policia. Për 6 vjet Inisi dhe Ariani e ruajtën lidhjen e tyre, pavarësisht se në mes kishin hekurat e burgut, ndërsa ngjarja që i tronditi më shumë ata ishte publikimi i një videoje personale të çiftit. Arjan Selimi doli një vit më parë nga burgu dhe që nga ai moment çifti nisi bashkëjetesën. I liruar me kusht, Ariani dhe Inisi po shijonin marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa në pranverë të këtij viti mbërriti edhe familja e Arjanit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast Ariani organizoi një festë të madhe me të gjithë të afërmit, miqtë dhe shokët e tij në Dhërmi. Gjithçka ishte menduar si një festë për daljen e tij nga burgu, por vetë Ariani kishte plane të tjera. Në këtë festë të madhe, para të gjithë të ftuarve, Ariani i kërkoi dorën për martesë Inisit. E bëri në formën më të bukur duke surprizuar këdo që ishte i pranishëm e sigurisht atë, Inisin, të dashurën e tij. Asnjë gjë nuk ishte e zakonshme në surprizën e tij, unazën e martesës e nxori nga goja ndërsa i dha një puthje Inisit dhe sigurisht kjo ishte çudia më e madhe për këdo. E ndërsa jetonin këtë marrëdhënie që i gëzoheshin dita-ditës, Inis Gjoni ngeli shtatzënë. Lajm ky që gëzoi pamasë çiftin e ri. Gjithë vera e këtij viti për Arianin dhe Inisin ishte ajo e pushimeve më të bukura dhe më të shumëpritura. Ata lëvizën nga një plazh i Shqipërisë në tjetrin dhe u lumturuan edhe më shumë kur mësuan se fëmija që do të vinte në jetë do të ishte vajzë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›