Mandatet, Topalli:Rregullat u votuan dhe nga PS
TIRANE-Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli deklaron se ka qenë korrekte me veprimin e saj duke i dërguar letër të gjithë deputetëve socialistë dhe duke i ftuar t'i japin fund bojkotit e duke i paralajmëruar se mandati i tyre digjet nëse nuk bëjnë betimin deri me 6 mars.Në një prononcim për shtyp pas Konferencës së Kryetarëve zonja Topalli deklaroi se veprimi i saj ka qenë institucional e njerëzor dhe se deputetët e PS-së duhet të ushtrojnë detyrën e tyre si deputet në mënyrë individuale. “Komunikimi im përmes letrës ka qenë institucional. Ftesa ka qenë institucionale. Nuk ka qenë një ftesë as për cirkun e Tiranës, as për klubin e rrenave. Cështja e mandateve është cështje e deputetëve, nuk është cështje e subjekteve politike. Betimi është individual, vota është individuale, mandati i deputetit është personal dhe detyrimi i tyre është që ta ushtrojnë këtë mandat. Unë kam qenë shumë korrekte dhe institucionale, por kam qenë dhe po aq e njerëzishme, duke i dërguar secilit prej tyre me respektin që i takon si deputet që KQZ i kanë dhënë mandatin.”Në letrën e saj dërguar dje deputetëve PS zonja Topalli saktësonte se më datë 6 mars mbushen 6 muaj nga mbledhja e parlamentit të ri. Në letër ajo informonte deputetët e opozitës për datat e seancave të parlamentit dhe shkruan se në këto seanca këta deputetë, kanë mundësi të ndërpresin bojkotin e të mos lejojnë mbarimin e mandatit për shkak të mosbërjes së betimit apo të mospjesmarrjes në punimet e parlamentit për 6 muaj rresht, sic parashikon Kushtetuta.“Kushtetuta është e qartë në afatin, në mbarimin apo bërjen e mandateve të paligjshme. Rregullat nuk i bëj unë, unë zbatoj rregullat. Rregullat janë votuar me konsensus të shkruar nga zoti Rama nga deputetë të PS-së dhe të votuara me një numër votash më të mëdha sesa janë votuar ndryshimet kushtetuese te propozuara përsëri nga deputetë të PS-së.”- deklaroi sot zonja Topalli e cila informoi gjithashtu se të hënën do të zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve në Shkodër.(s.g/BalkanWeb)