E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshjet intime, kohë për joshje dhe tendencë

Një linjë intime jo më e fshehur poshtë veshjes. Sensualiteti, provokimi i drejtpërdrejtë i femrës përmes të brendshmeve, një sfidë për të luajtur me mashkullin e për të treguar superioritet ndaj tij. Ngjyrat, materialet dhe tendenca. Si u rikthye moda e zhartierit dhe e korsesë kuq e zi. Korse, zhartier, dantella, trasparenca. Veshjet intime në këtë sezon rizbulojnë armët provokuese të femrave. Kësaj radhe duke i shtuar pak ngjyrë të zezës tradicionale.

Intimitet, trasformim shijesh

Joshja është femërore. Këto jane fjalët kyçe të veshjeve intime vjeshtë-dimër. Mes korseve e zhartierit, dantellave e trasparencave, badit dhe dekolteve marramendëse, femra rizbulon shijen e provokimit. Një grua në karriere ditën dhe një femër fatale natën; një trasformim shijesh dhe tendencash, e cila e sheh femrën gjithnjë e me protagoniste e agresive. Edhe në të veshur. Një sensualitet i përkryer, mbajtëset e çorapeve që vijnë deri ne mesin e kofshës janë lajtmotivi i vërtetë i veshjeve intime për këtë sezon. Si ai i propozuar nga Kristian Dior, me nje dantellë të çmueshme, per t’u veshur me geta në rrjetë të vogël. Aksesorë dhe kristale shpërthejnë në veshjet intime të Blumarine. Dantellat, gurët Svarovski dhe vrima shtrihen në të brendshmet tejet të vogla. Edhe zhartieri zbukurohet nga reflekse shndritëse të cilat vendosen mbi tylin e hollë trasparent, arijnë të mbulojnë paksa perizomat.

Historia

Historia e veshjeve të brendshme dhe aftësia provokuese që emeton korseja e shekullit të nëntëmbëdhjetë ka frymëzuar dhe koleksionin e Parah. Kombinimi i zhartierit dhe i badit prodhojnë një efekt joshjeje eksploziv, në të cilën e zeza absolute i lë hapësire vetëm trasparencave. Në Marsejë, në muzeun “Mode di la Canebiere” u hap një retrospektivë e bukur, e cila i dedikohej stilistës Shantal Tomas, një poeteshë e vërtetë e veshjes intime. Ajo ka qenë ndër të parët stilistë që ka futur elementin e veshjeve intime. Femrat e saj, janë egoiste dhe shumë pikante, ditën veshin korse, ndërsa në darkë badi trasparent me qëndisma floureshentë.

Kohë për joshje
Një linjë intime jo më e fshehur poshtë veshjes. Sensualiteti, provokimi i drejtpërdrejtë i femrës përmes të brendshmeve, një sfidë për të luajtur me mashkullin e për të treguar superioritet ndaj tij. Kohët e fundit veshjet intime janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme. Nuk bëhet fjalë vetëm për një veshje intime, një veshje për t’u fshehur, sot veshjet intime mund dhe duhet të shihet. Filmi “Moulin Rouge” ishte sinjali i parë i një mode të re, në qender të se cilës u vunë të brendshmet joshëse e shumë pikante. E kush nuk e ka vënë re tendencën më të fundit të pantallonave me bel të shkurtër, nga të cilat pak si “padashje” dalin të brendshmet me tantellë dhe domosdoshmërisht perizomë.

Zhartieri dhe korseja
Dëshira për t’u dukur sa më bukur e pse jo dhe shumë seksi ka bërë që stilistët ta mendojnë ndryshe koleksionin e këtij sezoni. Tashmë veshjet intime nuk do të fshihen më, poshtë këmishave e xhaketave me jaka të mbyllura, por do ekspozohen sa më shumë të jetë e mundur. Dekoltetë e theksuara dhe zhartieri do të dominojë ne elementët e tjere të veshjes intime. Format e tyre jane nga me të ndryshmet, sipas preferencave e formave. Perizomat, të cilat prej dy vjetësh kanë qenë prezent në sirtarët tanë, këtë vit kanë arritur kulmin e tyre. Forma e tyre do të jetë me hark të theksuar ne pjesën e përparme dhe shumë të vogla, ndërsa prapa mjafton vetëm nje rrip.

Kombinacioni kuq e zi, çelësi i intimes

Gama e ngjyrave që mbizotëroje në veshjet intime do të jetë kryesisht ajo ujore, e kaltra, jeshilja si dhe tonet e ngrohta të vishnjës, ngjyrat e artë, e zeza, bluja e për të mbërritur deri tek bezha. Ndërsa në garderobën e veshjeve të këtij sezoni do të mbizotërojë e zeza si dhe një mori ngjyrash që do ta gjallojnë më shumë intimitetin tone. Por nga lista e ngjyrave nuk përjashtohet dhe e bardha, e cila këtë vit është lënë pak si në harresë. Pasioni, erotizmi dhe sensualiteti që mbart me vete ngjyra e zezë bën që ajo të jetë një ndër më të preferuarat jo vetëm nga stilistët, por edhe nga klientët.

Meshkujt, të hijshëm deri në intimitet

Linja e të brendshmeve për meshkuj të të gjitha moshave është sinonim i komoditetit, elegancës, prakticitetit dhe padyshim hijeshisë. Përgjithësisht në të gjitha linjat e veshjeve intime që hidhen në treg vendin kryesor e zë materiali i pambukut.
Thjeshtësia dhe prakticiteti i këtij materiali e rendit atë nder me të preferuarat e tyre. Por, padyshim ka dhe nga ata që parapëlqejnë ndjesinë që të jep pëlhura prej mëndafshi apo copa e atllasit. Përgjithsisht materiale të tilla përdoren në komplete me pantallona, të cilat i përshtaten më së miri me linjat që karakterizojnë çdo mashkull. Në rrobdishanët e pambuktë ata ndihen më praktikë. Kryesisht format e tyre janë me prerje klasike dhe me ngjyra të errëta, e zezë ose blu, me një gjatësi mesatare deri tek kyçi i këmbës.

Dilema e përjetshme, bokser apo slip...

Tendenca e sezonit dimër-pranverë 2010 në veshjet intime të meshkujve nuk ka pësuar ndryshime radikale. Ajo i ka qëndruar besnike linjave klasike të prerjes së të brendshmeve bokser dhe ato me femërore të mbiquajtura slip. Komoditeti që të ofrojnë këto të fundit ka bërë që ato të preferohen më shumë nga meshkujt. Por, dhe të brendshmet perizoma janë shumë të preferuara, edhe pse një pjesë e meshkujve, për të mos thënë të gjithë e kanë të vështirë të pranojnë se veshin perizoma, pasi e konsiderojnë një veshje intime tipike femërore. Të brendshmet e tipit bokser janë me gjatësi mesatare, por dhe të shkurtra, rrëzë kofshës. Matëriali më i preferuar e me komod për ta është ai i pambukut. Ndërsa përsa i përket koloritit të veshjes se tyre ai ka mbetur në tonalitetet klasike. E bardha, e zeza, grija, kafja dhe ngjyra e ullirit. Ata kanë preferuar që në të brendshmet e tyre ta lenë jashtë ekstravagancën dhe të qenit ekcentrik. Por ajo që e bën më argëtuese veshjen e tyre janë disa citime të shkurtra të shkruara mbi to.

16 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›